Arbëri

Prokuroria: Damka dhe Kamberaj donin t’i krijonin përfitim OJQ-së së themeluar nga zv.ministrja Gashi

Prokuroria Speciale pretendon se ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, si dhe sekretari i kësaj ministrie, Besim Kamberaj, donin që me buxhetin e shtetit t’i krijonin përfitim organizatës së themeluar nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi. Sipas aktakuzës së siguruar nga KOHA, marrëveshjen e lidhën me këtë përfitim vetëm pasi u dha drita jeshile nga Ministria ku ka pozitë Gashi

Ministri në detyrë, Fikrim Damka, kishte për qëllim t’i krijonte përfitim OJQ-së së themeluar nga zëvendësministrja Liza Gashi, thotë aktakuza e Prokurorisë Speciale, një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA.

Javën e shkuar, Damka dhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Besim Kamberaj, u akuzuan për keqpërdorim të detyrës zyrtare, me rastin e ndarjes së mjeteve për organizatat “Caritasi Zviceran” dhe “Gremin”.

Prokurori Fatos Ajvazi ka shkruar në aktakuzë se komunikimet me e-mail kanë treguar se të pandehurit ishin në dijeni që OJQ-në e ka themeluar zëvendësministrja.

“Që nga momenti i parë kur kanë filluar negociatat në mes të MZHR-së dhe ‘Caritasit’ zviceran për lidhjen e memorandumit, gjatë hartimit të dy konceptdokumenteve për program ‘MARDI’ dhe ‘YENI’, kanë qenë të kyçur aktivisht në përmbajtjen e këtyre dy konceptdokumenteve dy të pandehurit Fikrim Damka, në cilësi të ministrit, dhe Besim Kamberaj, në cilësi të u.d. së sekretarit të përgjithshëm të MZHR-së, dhe me dashje direkte e kanë përfshirë OJQ ‘GERMIN’ në konceptdokumentin e projektit ‘MARDI’, duke i dhënë një rol kyç në realizimin e këtij projekti, e duke e ditur se themeluese e OJQ ‘GERMIN’ ka qenë zëvendësministrja e MPJD-së, znj. Liza Gashi, fakt i cili ka qenë medial”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale. 

Në bazë të ekspertizës financiare që e ka bërë Prokuroria, Ministria mund t’i jepte deri në 42 mijë euro për OJQ-të, por “Caritasit Zviceran” ia ka dhënë më shumë se 1 milion euro.

Në aktakuzë thuhet se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka aprovuar lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe “Caritasit Zviceran” dhe se në dokumente GERMIN-i figuron si partnere e kësaj organizate përfituese.

Ushtruesi i detyrës së Sekretarit, Besim Kamberaj, ka thënë në Prokurori se veprimet i ka ndërmarrë në konsultim me Ministrinë e Financave. 

Ndërkaq, Damka ka deklaruar se me marrëveshjet e lidhura me “Caritasin” nuk ka krijuar shpenzime në buxhet për vitin aktual, por për vitet vijuese. Në organin e akuzës ai ka thënë të ketë vlerësuar se baza ligjore është përmbushur për lidhjen e këtyre marrëveshjeve, pasi që MPJD-ja paraprakisht e ka dhënë dritën e gjelbër.

Marrëveshjet për mbështetje financiare të këtyre organizatave nuk janë përfshirë në diskutimet e mbledhjes së Qeverisë. Në aktakuzë thuhet se kur është synuar të përfshiheshin në rend dite të qeverisë marrëveshjet, Zyra e sekretarit të Zyrës së Kryeministrit ia ka kumtuar Kamberajt se nuk kishte nevojë të bëhej kjo, meqë Ministria kishte mjaftueshëm buxhet. 

Ditën që është raportuar për ngritje të aktakuzës ndaj Damkës e Kamberajt, ka reaguar zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Liza Gashi. 

Ajo ka thënë se nuk është subjekt dhe as palë në asnjë proces gjyqësor që ka të bëjë me këtë çështje.

“Që nga viti 2020, nuk kam ushtruar asnjë funksion apo rol në organizatën GERMIN, në asnjë kapacitet. Po ashtu, nuk kam qenë dhe nuk jam pjesë e asnjë memorandumi të nënshkruar me CARITAS-in, as në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, as si zëvendësministre dhe as në ndonjë kapacitet tjetër”, ka shkruar Gashi.