Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Projekti me të cilin po mburret Komuna e Prizrenit

Që nga viti i kaluar të gjitha shërbimet administrative, qytetarët e Prizrenit mund t’i kryejnë në një objekt të vetëm.

Qendra e shërbimeve të integruara me një ndalesë apo “One Shop Stop”, po konsiderohet si qendra e vetme në rajon që është bërë nga Komuna e Prizrenit në të cilën mund të kryhen të gjitha shërbimet komunale.

Përmes 56 sporteleve të krijuara në këtë qendër, pritja e qytetarëve për t’u pajisur me dokumentet e nevojshme, është më e shkurtër se më parë.

Megjithëse shumë qytetarë shprehen të kënaqur, ka edhe prej atyre që kanë kritika.

Ndërsa, Komuna konsideron se ky është njëri nga projektet më të mëdha që ka realizuar gjatë këtij mandati.

Drejtori i Administratës, Osman Hajdari, tregon për shërbimet që ofrohen në këtë qendër.

“Në këtë qendër janë të gjitha shërbimet komunale që ofrojnë, po ashtu është e integruar edhe Posta e Kosovës, pra qytetari pret shumë pak kohë për marrjen e shërbimeve. Është kryesisht e organizuar në 56 sportele dhe punojnë 60 zyrtarë brenda kësaj qendre. Duke filluar prej informacionit, çështjen e kërkesave, gjendja civile, pagesat janë integruar, pastaj janë shërbimet kadastrale, të urbanizmit, pronës, biznesit etj. Në përgjithësi kemi edhe një sportel që shërben për personat me nevoja të veçanta që është risi, dhe e gjithë qendra funksionon në bazë të numrave dhe kështu kjo në masë të madhe është zvogëluar numri i pritjeve, grumbullimit të masave”, ka deklaruar Hajdari.

Ai tregon edhe për sfidat dhe përparësitë që ka sjellë kjo qendër.

“Thjesht, zyrtarët që japin shërbim qytetarëve janë pa barriera fizike, kjo ka qenë një sfidë edhe për zyrtarët, shumë shërbime shumë palë. Pritja e qytetarëve është jashtëzakonisht e mirë. Brenda vitit janë 300 mijë qytetarë. Aspekti i thjeshtësimit Shumë procedura burokratike, ne kemi arritur që t’i kthejmë në minimumin e procedurave. Në vitin 2018 mesatarja e një procedure administrative ka qenë diku 24 ditë, ka marrë kohë për t’u pajisur një qytetarë me një dokument, ndërsa tani merr deri në tre ditë”, tha ai.

Në baza ditore në këtë qendër ofrohen rreth 800 shërbime.

Artikuj të ngjashëm