Për herë të parë, Komuna e Shtimes e ka nisur një projekt për të bërë kontrolle mjekësore sistematike për fëmijët në çerdhe. Pas identifikimit të disa rasteve të fëmijëve me probleme të ndryshme shëndetësore, projekti është zgjeruar edhe nëpër shkolla fillore
Drejtoria e Arsimit në Komunën e Shtimes, në bashkëpunim me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, kanë nisur për herë të parë një projekt për kontrollime sistematike mjekësore për 130 fëmijë në çerdhen publike.
Iniciativa është ndërmarrë pas ankesave nga prindërit dhe edukatoret rreth domosdoshmërisë se kontrolleve shëndetësore. E ndërmarrja ka rezultuar me identifikimin e disa problemeve shëndetësore te fëmijët dhe si rrjedhojë, iniciativa është zgjeruar edhe nëpër shkollat fillore të komunës.
Lulzim Sahiti, drejtor i Arsimit në Shtime, ka bërë të ditur se me anë të këtyre kontrolleve synohet identifikimi i hershëm i sëmundjeve të mundshme.
“Ky projekt ka rëndësi të veçantë ngase identifikon problemet shëndetësore te fëmijët të cilët as prindërit, por as vetë fëmijët nuk e dinë se kanë ndonjë sëmundje dhe për këtë arsyeje, së bashku me këtë ekip, pretendojmë të bëjmë identifikimin sa më të hershëm që është e mundshme”, ka thënë Sahiti.
“Unë e kam fëmijën prej një vit që e sjelli në kopsht. Kontrollet sistematike në të kaluarën nuk janë bërë, andaj tash kanë filluar, por për ne si prindër këto kontrolle janë të mirëseardhura, për shkak se kontrollohen dhëmbët, shtylla kurrizore dhe çdo anomali tjetër që mund të kenë fëmijët”, ka thënë Mervete Hasani, nënë.
Pranvera Bajrami, drejtoreshë e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe mjeke e përgjithshme, ka thënë se në këtë mënyrë mundësohet trajtimi i hershëm i sëmundjeve që identifikohen te fëmijët.
“Deri më tash në shkollat që kanë përfunduar kontrollet sistematike janë zbuluar disa raste të devijimeve të shtyllës kurrizore dhe probleme gjenitale te meshkujt. Këta fëmijë janë udhëzuar te specialistët pediatër dhe gjithashtu edhe mënyra diagnostikuese që i përdorim ne në QKMF dhe analizat e tyre janë kryer tek ne dhe do të vazhdojmë edhe tek fëmijët e tjerë nëse kemi diagnostikime të tilla”, ka thënë drejtoresha e QKMF-së në Shtime, Pranvera Bajrami.
Projekti është paraparë që të vazhdojë edhe gjatë muajve të ardhshëm, për të përfshirë të gjitha shkollat në Komunën e Shtimes.