Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rikthimi i fruthit - hospitalizohen 10 fëmijë, mbyllet një çerdhe

Institucionet shëndetësore janë aktivizuar, meqë në së paku katër komuna janë diagnostikuar fëmijë me sëmundjen e fruthit. Në Infektive janë hospitalizuar dhjetë fëmijë, e në Shtime është mbyllur një çerdhe, pasi sëmundja është lajmëruar në dy raste. Institucionet shëndetësore u kanë bërë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët

10 fëmijë janë hospitalizuar, meqë janë prekur nga sëmundja ngjitëse e fruthit.

E çerdhja “Albiona Asllani” në fshatin Muzeqinë të Shtimes është mbyllur prej tri ditësh, meqë dy fëmijë që kalonin ditën aty, u diagnostikuan me fruth.

Në çerdhet e tjera të komunës është ndaluar përkohësisht pranimi i fëmijëve të pa vaksinuar.

Anita Kurtit, e cila është shefe e kabinetit të kryetarit të Komunës së Shtimes, tha të jenë aktivizuar autoritetet, pas evidentimit të rasteve.

“Me datën 13 maj kjo çerdhe është inspektuar nga inspektorati sanitar i ministrisë së Shëndetësisë dhe me qëllim që të mos përhapet sëmundja edhe tek fëmijët e tjerë është mbyllur përkohësisht deri në një vendim tjetër. Drejtoria e arsimit dhe shëndetësisë kanë marrë hapa konkret ku janë duke bërë kontrolle sistematike tek parafillorët dhe tek klasat e para që ta marrin dozën e plotë të vaksinës kundër fruthit”, ka bërë të ditur Kurti.

Edhe Për afro një muaj 14 raste me fruth në Kosovë, IKSHPK-ja apelon për vaksinim Arbëri Për afro një muaj 14 raste me fruth në Kosovë, IKSHPK-ja apelon për vaksinim

Në Klinikën Infektive të QKUK-së, fëmijët e hospitalizuar, e që janë diagnostikuar me fruth, janë të moshave nga 1 deri në 3 vjeç.

Drejtori i klinikës, Arben Vishaj, tregoi se të 10 fëmijët nuk ishin vaksinuar kundër fruthit.

“Mosvaksinimi i tyre na ka sjellë në këtë situatë. Pa dyshim që është sëmundje ngjitëse. Fruthi është sëmundje e parandalueshme përmes vaksinimit. Rekomandimi im për të gjithë prindërit që nuk kanë vaksinuar fëmijët e tyre është që ta bëjnë këtë sa më parë, në mënyrë që të parandalojmë praninë e sëmundjes dhe nevojën për spitalizim”, ka theksuar Vishaj.

Thirrje për vaksinim ka bërë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Sipas njoftimit të këtij instituti, ka nisur vaksinimi i fëmijëve që për arsye të ndryshme kanë lëshuar ndonjërën nga dy dozat kundër fruthit.

Edhe Shtatë raste të reja me fruth në Kosovë Arbëri Shtatë raste të reja me fruth në Kosovë

“Përveç vaksinimit të rregullt, janë duke u bërë vaksinime "catch-up" për të vaksinuar ata fëmijë që për arsye të ndryshme kanë lëshuar ndonjërën nga dy dozat, aktivitete të edukimit shëndetësor, etj. Parandalimi më i mirë është vaksinimi, dhe IKSHPK-ja u bën thirrje prindërve që pa asnjë hezitim t’i vaksinojnë fëmijët, duke qenë që vaksina kundër fruthit jepet prej më shumë se 60 vjetësh në dy doza, është e sigurt dhe efektive dhe mbron rreth 100% ndaj fruthit”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.

Raste të fruthit janë konfirmuar edhe në komuna të tjera - katër raste në Ferizaj dhe nga një në Graçanicë, Lipjan dhe Fushë-Kosovë.