Shtrimit të asfaltit, bazuar në raporte, komunarët në Obiliq dhe Fushë-Kosovë, i kanë kushtuar më së shumti vëmendje edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit 2020.
Shumë kontrata janë nënshkruar e shumë mjete janë shpenzuar për rrugë.
Në Obiliq për periudhën korrik-dhjetor 2020, sipas një tabele që e ka dërguar zyrtarja për marrëdhënie me publikun, Arba Mirena, janë 80 rrugë e rrugica që janë asfaltuar gjatë kësaj periudhe në Obiliq, Milloshevë, Plemetin, Shipitullë, Mazgit, Dardhishtë, Siboc e Hade e re.
Mirena ka thënë se janë edhe 3.941 metra kanalizim që janë ndërtuar në disa pjesë të kësaj komune, duke përfshirë Obiliqin, Plemetinin, Dardhishtën, Llazarevën, Sibocin e Lajthishtën.
Ndërkohë, janë 650 metra rrjet të ujësjellësit që janë ndërtuar në Siboc dhe në një rrugë të Obiliqit. Zyrtarja për marrëdhënie me publikun në Komunën e Obiliqit thotë se në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar janë 36 rrugica, në të cilat është ndërtuar ndriçimi publik.
“Janë realizuar punimet në tri parqe: Parku te ish-restauranti i KEK-ut, parku në fshatin Plemetin dhe parku në fshatin Mazgit i Ulët te lapidari i Ferid Currit. Sheshi i Qytetit nuk ka përfunduar akoma. Pritet të përfundojë shumë shpejt, pasi që punët janë realizuar mbi 95 për qind. Ndërsa, në sheshin ‘Adem Preniqi’ punimet për vitin 2020 janë realizuar 25%”, ka theksuar Arba Mirena.
Sa i përket fushës së arsimit, drejtori i këtij dikasteri Rexhep Zeka, ka thënë se gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar ka filluar ndërtimi i dy anekseve shkollore në Mazgit dhe në Breznicë. E para ka thënë se ka përfunduar, ndërsa objekti tjetër pritet të përfundojë gjatë këtij viti. Zeka ka thënë gjithashtu se kanë bërë edhe renovimin e disa objekteve shkollore dhe i kanë pajisur shkollat me mjete të teknologjisë informative, laboratorë për shkencat e natyrës, janë ndërtuar disa fusha sportive, etj.
Sa i përket shëndetësisë, gjatë periudhës korrik-dhjetor, është ndërtuar AMF-ja në fshatin Breznicë, projekt ky i realizuar nga Organizata Kuwait cociety for relief & Duart e Bamirësisë dhe Komuna e Obiliqit.
Drejtori i QKMF-së, Haki Jashari, ka thënë se gjatë kësaj periudhe është bërë renovimi komplet i QKMF-së dhe i objektit ndihmës, i cili është shndërruar në qendër anti-COVID, është renovuar QMF-ja në Milloshevë dhe janë blerë disa pajisje mjekësore. Gjatë kësaj periudhe janë dhënë edhe subvencione për bujqësi.
Projektet infrastrukturore kanë dominuar edhe në Komunën e Fushë-Kosovës. Zyrtarët komunalë kanë nënshkruar disa kontrata për asfaltimin e rrugëve dhe rrugicave në qytet dhe fshatra.
Sipas drejtorit për Urbanizëm, Abdullah Prebreza, ka përfunduar asfaltimi i rrugëve sipas kontratave në qytet dhe po ashtu në fshatrat Sllatinë e Madhe, Sllatinë e Vogël, Bardh i Madh, Bardh i Vogël, Pomozotin, Nakaradë, Graboc, Lismir, Henc, Miradi e Epërme, Miradi e Poshtme, Harilaq dhe Vragoli.
Komuna i kishte nënshkruar disa kontrata për ndërtimin e trotuareve në territorin e Komunës së Fushë-Kosovës, të cilat sipas drejtorit për Shërbime Publike, Maliq Berisha, kanë përfunduar.
Gjatë periduhës korrik-dhjetor ka filluar të punohet në rrjetin e kanalizimit në fshatrat Graboc, Bardh i Madh, Bardh i Vogël, Pomozotin, Sllatinë e Madhe, Harilaq, Henc, Vragoli, Miradi e Epërme, Miradi e Poshtme , Sllatinë e Vogël Nakardë dhe Fushë-Kosovë, por sipas drejtorit Berisha, punimet nuk kanë përfunduar gjatë vitit të kaluar dhe po vazhdojnë edhe këtë vit.
“Është realizuar projekti i miniparqeve në qytetin e Fushë-Kosovës, i cili ka përfshirë ulëse, shporta të mbeturinave dhe ulëse lëvizëse, të cilat janë vendosur te banesat në Bresje, në rrugën ‘Nëna Tereze’, te ‘Kompleksi 300’ dhe ‘Kompleksi Bi-Bi Home”, ka theksuar Maliq Berisha.
Në fushën e Arsimit, Komuna e Fushë-Kosovës gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar ka filluar ndërtimin e një shkolle fillore në pjesën Fushë-Kosovë - Uglar.
Drejtori për Asim, Islam Shabani, ka thënë se në 6-mujorin e dytë të vitit 2020 ka filluar edhe ndërtimi i sallave të sportit për shkollat në Pomozotin dhe Harilaq, por sipas tij, ato ende nuk janë funksionalizuar.
Komuna e Fushë-Kosovës gjatë vitit të kaluar kishte filluar ndërtimin e dy QMF-ve, njëra në Miradi të Epërme, e tjetra në qytet.
Drejtori i këtij dikasteri, Jakup Dumani, ka thënë se e para është funksionalizuar, ndërsa e dyta pritet të funksionalizohet sivjet.
“Në Bardh të Madh është bërë përgatitja e terrenit për të ndërtuar QMF-në e këtij fshati, e cila financohet nga ‘Duart e Bamirësisë’ dhe ‘Kuwait Society for Relief’. Ndërtimi i saj pritet të fillojë sivjet”, ka thënë Dumani.
E njëjta shoqatë ka ndihmuar Komunën edhe në ndërtimin e dy shtëpive për raste të rënda sociale. Gjatë periudhës korrik-dhjetor, komuna ka filluar ndërtimin edhe të 16 shtëpive tjera, por që ky projekt ende nuk ka përfunduar.
Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka thënë se gjatë kësaj kohe kanë blerë edhe pajisje mjekësore.
Komuna e Fushë-Kosovës ka ndarë edhe subvencione për bujq.