Në Projekt-Kodin e Procedurës Penale që aktualisht është duke u hartuar nga Ministria e Drejtësisë pritet që si dispozitë ligjore të rregullohet edhe gjykimi në mungesë.
Nevoja për gjykimin në mungesë ka ardhur për shkak të vështirësive për ta siguruar prezencën e të dyshuarve në procedurë, të cilët i janë shmangur drejtësisë, sidomos ata që kanë kryer krime lufte.
Qeveria e kaluar, e drejtuar nga Albin Kurti, në shkurt të këtij viti kishte kërkuar nga Komisioni i Venecias që ta shqyrtojë ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale për çështjen e gjykimit në mungesë. Dhe, në opinionin e Komisionit të Venecias është theksuar se plotësim-ndryshimet e bëra në kod kanë përputhshmëri me standardet ndërkombëtare porse janë të nevojshme edhe disa ndërhyrje të tjera.
“Komisioni i Venecias më datë 19 qershor, Qeverisë së Republikës së Kosovës ia ka dërguar opinionin, ku ka vërejtur se nenet që ishin objekt shqyrtimi janë në masë të madhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, Komisioni rekomandoi një numër ndryshimesh. Sa i përket nenit 306 - Gjykimi në Mungesë-, rekomandimet janë të natyrës jorrënjësore, dhe si të tilla janë në kontribut të saktësimit dhe avancimit të dispozitës”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Pas rekomandimeve që kanë marrë nga Komisioni i Venecias, Ministria e Drejtësisë, ka deklaruar se janë duke e draftuar Projekt-Kodin e Procedurës Penale dhe se janë pothuajse në përfundim. Kësisoj, Projekt-Kodi me ndryshimet e bëra pritet që në shtator të procedohet në Kuvend për votim.
“Aktualisht Projekt-Kodi i Procedurës Penale është në fazën finale të shqyrtimit brenda Ministrisë, i cili po trajtohet me përkushtim maksimal, me ç’ rast është themeluar edhe grup punues, me pjesëmarrje të aktorëve kyç vendorë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe përfaqësues nga shoqëria civile. Besojmë që brenda muajit shtator drafti do të procedohet në Kuvend”.
Ndërsa Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thekson se krijimi i bazës ligjore për gjykimin në mungesë do të sillte përparësi për dënimin e krimeve që janë bërë gjatë kohës së luftës në Kosovë.
“Ajo çfarë po tentohet të arrihet është që kjo lloj procedure të zhvillohet ndaj personave të cilët dyshohet se kanë kryer vepra penale kundër njerëzimit të ligjit ndërkombëtar dhe disa prej neneve konkrete të Kodit Penal. Pritet që pasi ky kod të miratohet, atëherë të fillojmë edhe me procedura të tilla, të cilat do të thotë se mund të gjykonin edhe veprat penale që kanë ndodhur gjatë periudhës së luftës dhe pasluftës në Kosovë", ka thënë Hoxha.
Ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, ku përfshihej edhe gjykimi në mungesë, janë bërë edhe në legjislaturën e kaluar të Kuvendit të Kosovës, por për shkak të lëshimeve, deri më tash nuk ka gjetur zbatim. Në nenin për gjykimin në mungesë do të parashihen të gjitha çështjet si: hetimet, akuzat, gjykimet e ekstradimet e të dënuarve që kanë kryer krime lufte.