Lëvizja Vetëvendosje pritet të fitojë më shumë se 50 për qind të votave të qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë, sipas projeksionit të KOHËS.
Përkthyer në ulëse në Kuvendin e Kosovës, VV-ja pritet të fitojë 58 deputetë. Në përqindje, VV-ja do të ketë 50.7 për qind të votave.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë në garë të ngushtë për pozitën e dytë. PDK-ja, sipas projeksionit, pritet të dalë e dyta me 15.4 për qind, ndërsa LDK-ja e treta me vetëm 0.3 për qind më pak. Sipas kësaj, të dy partitë do të kenë nga 17 ulëse në Kuvend.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të jetë po ashtu pjesë e Kuvendit. Ajo pritet të marrë 6.8 për qind të votave, apo 8 deputetë.
Nisma Socialdemokrate, sipas projeksionit të KOHËS, nuk e ka kaluar pragun, pasi ka marrë më pak se 3 për qind të votave.
Disponueshmëria e votuesve është matur nga KOHA që ka kryer hulumtimin me 1076 qytetarë mes 9 dhe 12 shkurtit. Rezultatet e përgjithshme kanë margjinë gabimi deri në tre për qind.
Këtu nuk janë të përfshira votat nga diaspora, që mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar.
52.1 për qind e votueseve janë shprehur se do të votojnë për Lëvizjen Vetëvendosje, në projeksionin e KOHËS. Tek burrat, përqindja për VV-në ishte 49.8 për qind.
Madhësia dhe shtrirja e mostrës
• Hulumtimi është zhvilluar me mostër prej 1,076 qytetarëve të moshës 18+ (9 Shkurt – 12 Shkurt)
• Rezultatet e përgjithshme të këtij hulumtimi kanë margjinë gabimi prej ±3 pikë përqindjeje, në interval besimi prej 95%
Strategjia e mostrës
• Statistikat e daljes në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2019 (KQZ) kanë shërbyer si kornizë për krijimin e mostrës së hulumtimit
• Dizajnimi i mostrës është bërë në tre hapa:
• Ndarja e mostrës prej 1,076 qytetarëve në tri grupe në bazë të etnisë: nën-mostra me popullatën shqiptare, serbe dhe komuniteteve tjera
• Shpërndarja (shtresimi) i intervistave në 38 komuna, proporcionalisht me shpërndarjen e votuesve në vitin 2019
• Shpërndarja (shtresimi) e intervistave bazuar në llojin e vendbanimit (urban/rural), proporcionalisht me shpërndarjen e popullatës nga Cenzusi i vitit 2011
Metodologjia për përzgjedhjen e ekonomive familjare
• Pas shpërndarjes së mostrës në vendbanime, anketuesve u caktohen pikat startuese, që zakonisht janë sheshe/rrugë kryesore apo objekte indentifikuese të atyre vendbanimeve (p.sh. shkolla, xhami, kisha).
• Anketuesi niset nga pika startuese dhe përzgjedh çdo të tretën shtëpi në anën e majtë të rrugës. Në vendbanime urbane me apartmente, anketuesit përzgjedhin njësi banimi në katin më të ulët të ndërtesës së parë, katin e mesëm të ndërtesës së dytë dhe katin më të lartë të ndërtesës së tretë.
Metodologjia për përzgjedhjen e të anketuarve brenda ekonomive familjare
• Në mënyrë që çdo i rritur brenda ekonomisë familjare të ketë gjasat e barabarta për pjesëmarrje në hulumtim, përzgjedhja e të anketuarit është bërë me metodën e ditëlindjes së ardhshme (anketohet anëtari i familjes që ka ditëlindjen e radhës)
Procesi i mbledhjes së të dhënave
• Mbledhja e të dhënave është bërë përmes tabletëve nga 28 anketues
• Për të siguruar kualitetin e të dhënave, 30% e të anketuarve janë telefonuar për konfirmim