Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka përmbyllur ciklin e trajnimeve profesionale në modulin “Ballafaqimi me Turma”, me certifikimin e grupit të pestë dhe të fundit.
Në këtë program sipas njoftimit janë certifikuar gjithsej 175 zyrtarë policorë të Njësive për Reagim të Shpejtë (NJRSH), të organizuar në pesë grupe.
“Trajnimi është realizuar nga instruktorët e Drejtorisë së Njësisë Speciale Operative (NJSO), në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë dhe në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, nën mbikëqyrjen e Divizionit të Trajnimit, në kuadër të Departamentit të Burimeve Njerëzore”, thuhet në njoftim.
Realizimi i këtij programi thuhet se përbën një nga aktivitetet e planifikuara për zhvillimin profesional të NJRSH-së, me fokus në standardizimin e përgatitjes dhe avancimin e kapaciteteve për përmbushjen e detyrave policore.




