Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Profesori Hehir: Serbia duket se u stërvit me automjete amerikane

Aidan Hehir, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Westminster, ka deklaruar se automjetet me të cilat grupet serbe u stërvitën para sulmit në veri të Kosovës duket se ishin amerikane, duke shtuar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të ketë shumë për të shpjeguar.

Ai ka shkruar në rrjetin social X se automjetet që shihen në pamjet e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, janë të tipit “Humvee”, derisa ka thënë se Departamenti i Sigurisë s’do të jetë i lumtur që Serbia “i ka shfrytëzuar për t’i stërvitur terroristët me makinat që iu dhanë donacion nga SHBA-ja”.

Image

“Automjetet duken sikur ‘Humvee’ amerikanë. Sigurisht, Departamenti i Mbrojtjes nuk do të jetë i lumtur që Serbia i ka përdorur për t’i trajnuar terroristët makinat që iu dhanë donacion nga SHBA? Vuçiqi ka shumë për të shpjeguar”, thuhet në reagimin e tij.

Ministri Sveçla ka publikuar të dielën në një konferencë për media pamje të trupave serbe që stërviteshin para kryerjes së sulmit në fshatin Banjskë.

Në korrikun e sivjetmë, mediumi serb N1 pati raportuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e kanë furnizuar Serbinë me 66 automjete "Humve".

Profesori Hehir kishte folur edhe më parë mbi situatën në Kosovë dhe qasjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë.