Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova akuzon Serbinë se ka shkelur marrëveshjen me SHBA-në për mjetet ushtarake

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë se Serbia mund ta ketë shkelur marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës se si t’i përdorë mjetet ushtarake amerikane.

Më 24 shtator, një grup i armatosur e uniformuar serbësh në Banjskë të Zveçanit vranë policin e Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe më pas, në aksionin pasues të Policisë, u vranë tre sulmues ndërsa shumica arriti të ikte. Pamjet e publikuara nga Qeveria e Kosovës kanë treguar se si paramilitarët ushtruan në Serbi paraprakisht. Sipas pamjeve, dukej se ushtrimet po i kryenin me automjete ushtarake Humvee, të prodhuara në SHBA nga “AM General”.

“Rregullat që vlejnë për ne – dhe që jam i sigurt se vlejnë edhe për shtetet tjera – për sigurimin e pajisjeve të nivelit ushtarak, siç janë Humveet ushtarakë të përdorur, janë se duhet të ketë miratim nga Kongresi dhe certifikatë të përdoruesit. Këto sisteme janë të dizajnuara ashtu që pajisjet ushtarake amerikane të mos përdoren në sulme terroriste. Ky rast ngre shumë pikëpyetje për shkeljet e marrëveshjeve nga Serbia”, ka thënë Maqedonci për “Defense News”.

Në një nga videot e publikuara, duket se në një nga stërvitjet, ekipi ka gjuajtur me armë nga çatia e një Humvee. Më 2012 dhe 2017, SHBA-ja ia dhuroi 40 Humvee Ushtrisë së Serbisë. Serbia po ashtu ka blerë Humvee nga “AM General”, që dorëzoi 66 vetura në korrik sivjet – si pjesë e porosisë së përgjithshme prej 118 automjetesh.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka thënë për “Defense News” se SHBA-ja “po e shqyrton këtë çështje”.

Edhe DASH-i po trajton pretendimin se sulmuesit serbë në veri u stërvitën me automjete amerikane Arbëri DASH-i po trajton pretendimin se sulmuesit serbë në veri u stërvitën me automjete amerikane

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrin seriozisht çdo pretendim që përfshin pajisjet amerikane të ofruara kudo në botë”, ka thënë ky zëdhënës.

Ndërsa një zëdhënës i “AM General” ka thënë se kompania “nuk mund të flasë për përdorimin e veturave nga klientët”.

“‘AM General’ me sukses ka dorëzuar veturat në Serbi nëpërmjet procesit që përfshin sigurimin e autorizimit të duhur nëpërmjet licencës së eksportit nga Qeveria e SHBA-së”, ka shtuar zëdhënësi.

Serbia ka mohuar përfshirjen në rastin e Banjskës, edhe pse ka lartësuar tre serbët e vrarë e ka shpallur ditë zie.

Edhe Kosova nënshkruan kontratë për blerjen e sistemeve të artilerisë HUMVEE Hawkeye Arbëri Kosova nënshkruan kontratë për blerjen e sistemeve të artilerisë HUMVEE Hawkeye

E pyetur për ta konfirmuar videon e ushtrimeve të grupit, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka kërkuar që për përgjigje mediat t’i referohen konferencës së 2 tetorit, të ministrit Millosh Vuçeviq dhe kreut të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq, “ku hidhen poshtë pretendimet”. Gjatë asaj konference, Vuçeviq pati mohuar se janë përdorur Humveet. “Fakti se dikush lëshon incizime të tilla, nga një vend i paqartë, me individë e fytyra të paidentifikuara, nuk mund të thotë asgjë”, pati deklaruar ai.

Uebfaqja “Defense News”, me bazë në Washington DC, është e njohur për publikimet për sigurinë kombëtare të SHBA-së.