Jehona Lushaku Sadriu, profesoreshë në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës e ka kritikuar qasjen e shefit të diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, që në një intervistë për mediat italiane ka thënë se Kosovës i mjafton vetëm që Serbia të mos e pengojë në rrugëtimin e saj drejt Evropës edhe nëse nuk e njeh fare.
“Po që se, ne si Kosovë kërkojmë që Serbia vetëm të mos na pengojë, por jodomosdoshmërisht të na njoh, ne kemi gabuar rëndë. Jo se fjala jonë është vendimtare, por se kërkesat tona si shtet do të duhej të jenë maksimaliste e jo minimaliste siç është kjo”, ka thënë njohësja e proceseve integruese në BE.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në një fazë kur BE po sqaron perspektivën dhe kushtet e anëtarësimit për Ballkanin Perëndimor, është tepër e rëndësishme që BE të kërkojë nga Serbia NJOHJEN e Kosovës para anëtarësimit, e jo vetëm kushtin që të mos pengohet Kosova. Po që se, BE e heq këtë kusht, Kosova do të mbetet me një status të çuditshëm gjithnjë në raport me BE-në të paktën”, ka thënë më tej ajo.
Sipas Lushaku Sadriut, përfundimisht, do të duhet t'u bëhej e qartë se Kosova dhe Serbia nuk do të mundë të arrijnë asnjëherë pajtimin nëse nuk ka një traktat të përbashkët paqeje.
“Por, para traktatit duhet të ndodhte kërkim-falja dhe njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia. Kjo do të duhej të ishte minimalja që ne kërkojmë”, ka thënë Lushaku Sadriu.
Lexo edhe: Pacolli: Serbia s’duhet ta njohë patjetër Kosovën, por s’duhet ta ndalë udhëtimin e saj
Koha Ditore ka shkruar për atë që është konsideruar si deklaratë rrënuese e ardhur nga numri dy i Qeverisë për gjithë angazhimin e deritashëm vendor dhe ndërkombëtar, për ta bindur Serbinë që ta njohë shtetin e Kosovës. Sipas zëvendëskryeministrit të parë, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, Serbia nuk duhet ta ketë domosdoshmëri njohjen e Republikës e Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
Zyra e kryeministrit nuk ka komentuar deklaratën e Pacollit, vetëm ka proklamuar të kundërtën që e thotë kreu i diplomacisë.
Presidenti Hashim Thaçi që ka marrë rolin e prijësit në dialog dhe kryeministri Ramush Haradinaj deri tani kanë folur për marrëveshje përfundimtare me Serbinë, ku njohja e ndërsjellë është thënë të jetë e pashmangshme.
Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme ka shprehur shqetësim për deklaratat e Pacollit, ndërsa që ky i fundit nuk u është përgjigjur thirrjeve për raportim.
Ministria e Punëve të Jashtme ka publikuar të premten pjesë nga intervista e shefit të këtij dikasteri për agjencinë italiane “Nova”. Duke folur për marrëdhëniet me Serbinë, Pacolli ka dhënë deklaratë të padëgjuar më herët nga zyrtarët e shtetit.
“Serbia nuk duhet ta njohë domosdo pavarësinë e Kosovës, por nuk duhet të ndalë udhëtimin e Prishtinës drejt Evropës", ka thënë Pacolli.
Ndryshe nga Serbia që deri më tani e ka luftuar shtetin e Kosovës, si brenda ashtu edhe jashtë, Pacolli fqinjin verior e konsideron si një faktor stabiliteti.
