Procesi mësimor në shkollat që i përgjigjen Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren nuk ka filluar më 1 shtator, për shkak të grevës së mësimdhënësve. Drejtues të këtij dikasteri dhe të shkollave publike kanë pohuar se përgatitjet janë bërë për fillimin e mësimit të enjten, por se shkaku i grevës së organizuar nga SBASHK-u nuk janë mbajtur orët mësimore.
Drejtori i shkollës fillore “Abdyl Frashëri” në Prizren, Alidin Flugaj ka theksuar se ky institucion arsimor i ka bërë të gjitha përgatitjet teknike që mësimi të fillojë me 1 shtator, dhe se deri më tani orët nuk janë mbajtur.
“Sipas gjasave mësimdhënësit po i përgjigjen ftesës së SBASHK-ut për të vazhduar grevën”, ka thënë ai.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj-Gutaj ka pohuar se bazuar në raportimet nga terreni mësimi nuk është mbajtur nëpër shkollat përkatëse.
“Të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e mbarë të procesit mësimor janë bërë, por mësimdhënësit i janë përgjigjur ftesës së SBASHK-ut për grevë, dhe si rezultat mësimi ende nuk ka filluar”, ka deklaruar zyrtarja e lartë komunale.
Greva e përgjithshme është thirrur nga BSPK-ja dhe të njëjtës i është bashkuar edhe SBASHK-u.