Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se procesi i numërimit të fletëvotimeve ka përfunduar të dielën në mbrëmje në gjitha vendvotimet në Republikën e Kosovës. Ai ka thënë se rezultatet preeliminatore të zgjedhjeve për kryetar të komunave dhe për subjektet për asamble komunale paraqiten në aplikacionin e KQZ-së, por se ka raste kur nuk janë procesuar të dhënat nga disa vendvotime.
“Ju njoftoj se procesi i numërimit të fletëvotimeve është përmbyllur të dielën në mbrëmje në të gjitha vendvotimet në Republikën e Kosovës. Rezultatet preliminare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet e subjekteve politike për Kuvende Komunale janë shfaqur në aplikacionin e KQZ-së. Ka edhe raste kur nuk janë procesuar të dhënat nga disa vendvotime. Këto janë raste të rralla, por po përpiqemi që të bëhet sa më shpejt përditësimi i tyre. Aktualisht, pasi të dielën në mbrëmje janë përmbyllura të gjitha procedurat në vendvotime, përfshirë edhe numërimin e fletëvotimeve nga Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe atyre për Kuvende Komunale, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po bëhet pranimi i materialit zgjedhor nga të gjitha vendvotimet. Ky proces është i rëndësisë së veçantë, pasi përmes tij do të dijmë për gjendjen e çdo vendvotimi dhe natyrisht se mund të evidentohen edhe parregullësitë eventuale. Në fund të pranimit të materialit zgjedhor, do të kemi një raport të detajuar lidhur me gjetjet. Përveç pranimit të materialit zgjedhor, aktualisht po bëhet edhe futja e të dhënave në sistem nga këto vendvotime”, ka thënë Elezi në një prononcim për media nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.
Ai ka thënë se po presin që sa më parë të të përfundohen procedurat e certifikohen rezultatet përfundimtare, në mënyrë që të përgatiten për balotazhin që do të mbahet më 14 nëntor.
“Ligji për Zgjedhjet Lokale parasheh që nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50% +1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë, atëherë KQZ-ja është e detyruar të organizojë raundin e dytë mes dy kandidatëve të cilët kanë fituar më së shumti vota. Po sipas ligjit, raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune mbahet ditën e diele, katër javë pas raundit të parë. Prandaj, është e rëndësishme që KQZ-ja të përqëndrohet në përfundimin e procedurave lidhur me Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave në mënyrë që të shpallim dhe certifikojmë rezultatet përfundimtare, për ta ditur saktë se cilat janë komunat në të cilat duhet të mbahet raundi i dytë dhe që sipas ligjit kjo duhet të bëhet katër javë pas raundit të parë. Deri te shpallja dhe pastaj certifikimi i rezultateve përfundimtare vijmë pas verifikimit dhe numërimit të votave me kusht; votave me postë; votave të personave nevoja të veçanta; pas përfundimit të të gjitha procedurave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve; si dhe pas përfundimit të shqyrtimit dhe vendosjes lidhur me ankesat eventuale të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre”, tha Elezi.
Elezi ka thënë se nuk mund të japin datë të saktë se sa ditë i duhet KQZ-së, fillimisht për të shpallur rezultatet për kryetarë të komunave e pastaj për të certifikuar ato.
“KQZ-ja do të punojë maksimalisht që ne të arrijmë afatet ligjore, në mënyrë që të përgatitemi për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, që sipas ligjit duhet të mbahet katër javë pas raundit të dytë. Në të kaluarën, në zgjedhjet e vitit 2017, KQZ-së i janë nevojitur 9 ditë për të shpallur rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe 3 ditë të tjera për të certifikuar rezultatin e tyre”, tha Elezi.
{gallery}