Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prizreni për 6 muaj ka shpenzuar 20% të buxhetit të planifikuar për investime kapitale

Komuna e Prizrenit në gjashtë muajt e parë të këtij viti në kategorinë e investimeve kapitale ka shpenzuar mbi 4 milionë euro apo afër 20 për qind të planifikimit vjetor në vlerë prej 20 milionë eurosh. Ndërsa shpenzimi i përgjithshëm i buxhetit komunal për periudhën janar-qershor 2021 ka qenë 22 milionë euro apo 42 për qind të planifikimit vjetor.

“Për investime kapitale për vitin 2021 janë planifikuar 20,440,163 euro. Në periudhën janar-qershor nga kjo kategori janë shpenzuar 4,056,043 euro ose 19.84 % e shumës së planifikuar”, thuhet në raportin financiar gjashtëmujor të Komunës së Prizrenit.

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Prizrenit për vitin 2020 të publikuar muaj më parë thuhej se dinamika e realizimit te investimet kapitale nuk ishte në harmoni me planifikimet.

“Buxheti final në kategorinë e investimeve kapitale në krahasim me buxhetin fillestar ishte rritur për 2,645,423 euro, përkundër kësaj rritje vetëm 67% e buxhetit ishte shpenzuar. Po ashtu, edhe dinamika e realizimit nuk është në harmoni me planifikimet sepse 51% e shpenzimeve nga kjo kategori janë realizuar në tremujorin e fund vitit. Gjithashtu, vlen të theksohet se nga 88 kontratat e nënshkruara gjatë vitit 2020 në vlerë prej 15,094,586 euro, vetëm në periudhën e fund vitit janë lidhur 51% kontratave apo 45 kontrata në vlerë 4,303,016 euro. Kjo një arsye shtesë/tjetër për mos realizim të buxhetit dhe sfidë që duhet të adresohet nga menaxhmenti. Shkaku i një dukurie të tillë sipas menaxherit të prokurimit ishte vonesa në hartimin e projekteve ekzekutive të përcaktuar paraprakisht si kriter ligjor para inicimit të procedurave të prokurimit”, thuhet në raportin e auditimit.

Pavarësisht kësaj, në raportin për realizimin gjashtëmujor të buxhetit të Komunës së Prizrenit bëhet e ditur se shpenzimet e përgjithshme të buxhetit gjatë periudhës janar-qershor 2021 kanë arritur në 22,07 milionë euro ose 42 % nga 52,61 milionë euro të parashikuara për vitin 2021.

Edhe Komuna e Prizrenit për 9 muaj ka shpenzuar 37.5% të buxhetit të planifikuar për investime kapitale Arbëri Komuna e Prizrenit për 9 muaj ka shpenzuar 37.5% të buxhetit të planifikuar për investime kapitale

“Në kategorinë e pagave për vitin 2021 janë planifikuar 21,499,407 euro. Në periudhën janar-qershor nga kjo kategori janë shpenzuar 13,919,027 euro ose 64.74% e shumës së planifikuar. Shpenzimet në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve deri në fund të muajit qershor kanë arritur në 3,225,154 euro ose 41% e shumës së planifikuar prej 7,846,066 euro. Në kategorinë e shpenzimeve komunale nga shuma e planifikuar prej 1,031,199 euro për vitin 2021 deri në periudhën e raportimit janë shpenzuar 336,940 euro. Planifikimi për subvencione për vitin 2021 është 1,800,171 euro, prej nga janë shpenzuar 532,250 euro”, shkruan në këtë raport.

Në dokumentin e përgatitur nga Drejtoria e Financave, figuron se shuma e tërësishme e arkëtuar e të hyrave vetjake komunale për këtë periudhë ka qenë 4,35 milionë euro ose 61% e shumës së planifikuar prej 7,17 milionë euro. Sipas raportit, realizimi i të hyrave ka qenë i kënaqshëm sa i përket pagesave tek shfrytëzimi i tokës dhe lejet e ndërtimit (65.41%), inspektimi i tokës dhe aktivitetet gjeodezike (89.17%), tatimi në pronë (82%), të ardhurat tjera (73.30 %) dhe të ardhurat nga arsimi (68.33 %).

“Realizimi i të hyrave është jo aq i kënaqshëm në arkëtimin e të të hyrave nga: licensat komerciale dhe të biznesit / Lejet (33.23%), licencat për lojëra zbavitëse, pije alkoolike, reklama, shpallje etj. (-%), shfrytëzimi i pronës komunale (26.26%), pagesat në lidhje me automjetet (32.86%), të hyrat nga biblioteka (7.38%)”, thuhet në raportin financiar gjashtëmujor.

Në të njëjtën kohë është bërë e ditur se të ardhurat totale të alokuara të buxhetit komunal për periudhën janar-qershor të vitit 2021 janë 35,30 milionë euro, nga 52,61 milionë euro të parashikuara, dhe se nga ky buxhet janë shpenzuar 22,07 milionë euro ose 42 % e shumës së planifikuar.

Edhe Qeveria shton mjetet për projekte kapitale, por të këtij viti s’i ka shpenzuar as gjysmën Arbëri Qeveria shton mjetet për projekte kapitale, por të këtij viti s’i ka shpenzuar as gjysmën

“Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, granti qeveritar është alokuar në shumën prej 30,779,775 euro, pra 74,68% e shumës së planifikuar për tërë vitin (41,215,339 €). Shuma e shpenzuar nga ky burim i buxhetit komunal është 20,306,426 euro ose 49.27% e shumës së paraparë për sivjet. Gjatë periudhës janar- qershor 2021 të hyrat vetjake janë alokuar në shumë prej 3,613,633 euro ose 50,37% nga planifikimi prej 7,174,027 euro. Nga kjo shumë janë shpenzuar 1,609,109 euro ose 22.43% e shumës së planifikuar”, thuhet në raport.

Këto të dhëna janë shpalosur edhe nga drejtoresha e Financave, Leonora Çerreti gjatë seancës së pestë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Prizrenit. Informata rreth realizimit të buxhetit komunal për gjashtëmujorin e parë nuk është shoqëruar me debat gjatë kësaj seance.