Arbëri

Komuna e Prizrenit për 9 muaj ka shpenzuar 37.5% të buxhetit të planifikuar për investime kapitale

Komuna e Prizrenit gjatë nëntë muajve të këtij viti ka shpenzuar 33.73 milionë euro, nga buxheti i përgjithshëm prej 52.68 milionë eurosh, me ç’rast indeksi i shpenzimeve në raport me planifikimin ka arritur në 64.03%. Realizimi më i ulët i shpenzimeve është tek investimet kapitale, ku nga shuma prej 20.5 milionë eurove janë shpenzuar 7.7 milionë euro, apo 37.57%.

Sipas zyrtarëve përgjegjës për financat e kësaj komune, realizimi më i ulët në kategorinë e investimeve kapitale gjatë nëntë muajve të këtij viti në krahasim me kategoritë e tjera ndërlidhet me ankesat e bëra në OSHP, që ende nuk kanë marrë përgjigje, si dhe me mosrishikimin e buxhetit.

Për dallim prej investimeve kapitale, sipas raportit të Drejtorisë së Financave, te kategoria e pagave realizimi i shpenzimeve në periudhën janar-shtator 2021 është 90.12% pasi nga 21.5 milionë euro janë shpenzuar, 19.37 milionë euro; te mallrat e shërbimet është 65.21% pasi nga 7.84 milionë euro janë shpenzuar 5.11 milionë euro; te shpenzimet komunale 48% pasi nga 1.03 milionë euro janë shpenzuar 495 mijë euro; te subvencionet 57.91% pasi nga 1.8 milionë euro janë shpenzuar 1,04 milionë euro.
Drejtoresha e Ekonomisë dhe Financave në Komunën e Prizrenit, Leonora Çerreti, ka konfirmuar shpenzimin prej rreth 38% në kategorinë e investimeve kapitale, duke theksuar se mosrishikimi i buxhetit, si dhe ankesat në OSHP për projektet me vlera të mëdha kanë pasur ndikim në realizim.

“Në bazë të komunikimeve me drejtoritë komunale si njëra prej çështjeve që ka ndikuar në shpenzimet e investimeve kapitale janë ankesat në OSHP, që është pa bord, dhe kësisoj shumë projekte kanë ngecur. Një tjetër çështje është që nuk po kemi as rishikim të buxhetit. Megjithëkëtë, sivjet kemi bërë rialokimin e rreth 2.53 milionë eurove të pashpenzuara nga investimet kapitale nga granti qeveritar dhe të hyrat vetjake për vitin 2021”, ka thënë Çerreti për KOHËN.

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, në muajin shtator, patën miratuar vendimin për rialokimin e rreth 2.5 milionë eurove të pashpenzuara nga investimet kapitale nga granti qeveritar dhe të hyrat vetjake për vitin 2021, me ç’rast kjo vendimmarrje ka mundësuar edhe miratimin e vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të datës 21 maj 2021 për lejimin e ndarjes së mjeteve financiare për fëmijët e porsalindur, që ishte kontestuar nga niveli qendror. Sipas shpjegimeve të dhëna, për subvencionimin e prindërve të fëmijëve të porsalindur do të ndahen rreth 1 milion euro.