Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prizreni kontrakton operatorin për trajtimin e 800 qenve endacakë

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se ka kontraktuar operatorin për trajtimin e rreth 800 qenve endacakë. Njëherësh ka paralajmëruar se shpejti do të nisin punimet për ndërtimin e qendrës së përkohshme për trajtimin e këtyre qenve.

Po ashtu ka bërë të ditur se po krijon bashkëpunim edhe me organizatat për mbrojtjen e kafshëve, ndërkohë që ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve, që ky proces të ketë sukses.

“Komuna e Prizrenit po vijon trajtimin e qenve endacakë. Këto ditë, Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka angazhuar një kompani për të vijuar trajtimin edhe të 800 qenve të tjerë, duke përfshirë kapjen, përkujdesjen, sterilizimin, vaksinimin dhe matrikulimin e tyre”, thuhet në njoftimin e kësaj komune. Aty theksohet se tashti kanë përfunduar edhe procedurat e nevojshme për ndërtimin e qendrës së përkohshme për trajtimin e qenve endacakë dhe se “punimet për ndërtimin e kësaj qendre do të fillojnë brenda dy jave”.

“Komuna, gjithashtu po krijon bashkëpunim edhe me organizatat për mbrojtjen e kafshëve, të cilat do të monitorojnë trajtimin e këtyre qenve dhe do të angazhohen për vetëdijesimin e qytetarëve për mirëqenien e kafshëve”, shkruan në njoftim./Fisnik Minci.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Artikuj të ngjashëm