Qytetarë të shumtë po ankohen se nuk po mund të pajisen me letërnjoftim. Atyre u është thënë se duhet të presin nga 3 deri në 6 muaj për ta nxjerrë këtë dokument identifikues, meqë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike po përballet me mungesë materiali. Lidhur me këtë çështje nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë pranuar të deklarohen ndonëse për furnizim kanë lidhur kontratë mbi 1.2 milionë euro.
Pritjet për të nxjerrë një letërnjoftim nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike po zgjasin me muaj.
Qytetarë të shumtë, të cilët aplikojnë për këtë dokument identifikues, nuk mund të marrin një datë të saktë se kur mund të pajisen me të nga Agjencia e Regjistrimit Civil.
“Veç sa aplikuam tash për letërnjoftim dhe na thanë që nuk dihet as kur do të bëhet vetëm ju lajmërojmë tha nëpërmjet mesazhit”, është shprehur qytetari Ahmet Jetullahu.
Në arsyetimet që qytetarët kanë marrë nga stafi i ARC-së pritjet do të shkojnë nga 3 deri në 6 muaj për shkak të mungesës së materialit për furnizim.
Telashe me udhëtimin nga Kosova drejt vendeve të BE-se u ka dalë edhe mërgimtarëve, të cilët nuk mund të kalojnë nga Serbia me letërnjoftime që tashmë kanë skaduar, duke qenë se ky është dokumenti i vetëm i Kosovës të cilin shteti fqinj e njeh.
“Sot aplikuam për letërnjoftim, për me e marrë letërnjoftimin e ri sepse i ka dalë afati këtij të vjetrit, por na thanë edhe 6 muaj nuk ka material për letërnjoftime. Çka është më e keqja nëse neve na duhet një udhëtim jashtë Kosovës atëherë me çka me udhëtu? Aty është problematika”, ka deklaruar Shukri Hajrizi.
E gjatë ditës për këtë çështje ka heshtur Ministria e Punëve të Brendshme.
Kompania e kontraktuar për ta bërë furnizimin me këtë material është paguar nga Ministria e Punëve të Brendshme mbi 1 milion e 200 mijë euro.
Sipas kontratës, kompania ka qenë e obliguar ta furnizojë Ministrinë me 250 mijë letërnjoftime elektronike dhe me 50 mijë pasaporta.
Kontrata është nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar për furnizim për vitin 2020-2021.
KOHA ka provuar të kontaktojë kontraktuesin, por numri telefonik nuk ka qenë i qasshëm.
Me probleme të njëjta kjo ministri është duke u përballur shumë shpesh.