Arbëri

Prishtina për herë të parë me komision për përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave

Me dokumente me vete, 276 nxënës aplikuan për regjistrimin në klasën e dhjetë në gjimnazin “Sami Frashëri” në paralelen në gjuhën shqipe.

Duke përmbushur kriteret, u pranuan të gjithë aplikuesit pasi nuk është përmbushur numri prej 320 nxënësve që duhet të pranohen në gjimnazin i cili ka disa muaj që ka mbetur pa drejtoreshë.

Numri prej 32 nxënësish nuk u përmbush as në paralelen në gjuhën turke, ku kishte vetëm 12 aplikantë ndërsa u pranuan 9.

Zëvendësdrejtori tregon se cilat janë kriteret që duhet të plotësohen për t’u pranuar.

“Nota mesatare në lëndët prioritare duhet të jetë minimumi 4 dhe në poenët e testit të maturës, në lëndët prioritare në matematikë, fizikë, biologji dhe kimi duhet t’i kenë 20 pikë”, ka thënë Daut Selimi, zëvendës-drejtori i gjimnazit “Sami Frashëri”.

Ky është gjimnazi, drejtoresha e të cilit, Fahrije Retkoceri, megjithëse merr rrogë, vazhdon të mos ushtrojë fizikisht postin e saj që nga nëntori i vitit të kaluar, pasi u kundërshtua me bojkotim të mësimit nga ana e mësimdhënësve.

E kontaktuar nga KOHA, Retkoceri ka thënë se ajo po ushtron detyrën e saj online, duke shtuar se nuk po iu krijohen kushtet për të shkuar në shkollë.

Sipas saj, për interesa personale, ajo po kundërshtohet nga arsimtarët Enver Blakqori dhe Ilmi Recica e kjo gjë ka ndikuar në aplikimin e vogël të nxënësve në shkollën që dikur ka qenë me nam të madh.

“Nëpër shkollat e tjera të mesme ka radhë të gjatë të nxënësve që po presin të regjistrohen, ndërsa në “Sami Frashër” nuk po ka më interesim të madh. Skandali i bërë nga mësimdhënësit, humbja e mësimit, shprehja e mësimdhënësve ka bërë që edhe prindërit të mendojnë nëse ia vlejnë t’i dërgojnë fëmijët në atë shkollë”, ka thënë Fahrije Retkoceri, drejtoreshë në gjimnazin “Sami Frashëri”

Një gjë të tillë e ka kundërshtuar vetë arsimtari Reçicia, duke thënë se numri i nxënësve ka rënë si pasojë e rënies së natalitetit.

Reçica tutje sqaron se nuk ka asgjë personale me drejtoreshën, porse zgjedhja e saj është kontestuar edhe nga Inspektorati i Arsimit.

Vitin e kaluar Inspektorati i Arsimit ka ushtruar kallëzim penal ndaj Komunës së Prishtinës, pasi zgjedhja e drejtoreshës Retkoceri dhe disa drejtorëve të tjerë të shkollave të kryeqytetit ishin zgjedhur në kundërshtim me ligjin.

Një problem i tillë po pritet të zgjidhet me formimin e komisionit për rekrutimin e drejtorëve, i cili u miratua për herë të parë në mbledhjen e pestë të Kuvendit Komunal dhe është bërë në bashkëpunim me ambasadën britanike.

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati, thotë se përmes këtij komisioni do të ketë një proces transparent të përzgjedhjes së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve.

“Komisioni e ka jetëgjatësinë 1 vit. Së pari do të bëjmë përzgjedhjen e atyre që janë ushtrues detyre nëpër shkolla drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve. Faza e dytë, do të jenë konkurset që kanë qenë të kontestuara nga inspektorati i arsimit si dhe në fund të gjithë atyre iu skadon mandati sivjet”, ka thënë Musmurati.

Jehona Gjurgjeala dhe Egzon Gashi janë dy ekspertët e pavarur të arsimit që do të jenë pjesë e komisionit, e të cilët morën shumicën e votave në Kuvendin Komunal.