Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prindërit kundër grevës së SBASHK-ut, kërkojnë masa tjera për t’i arritur qëllimet

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka reaguar lidhur me grevën dy orëshe të paralajmëruar nga SBASHK-u, duke thënë se këmbëngulësia e SBASHK-ut për vazhdimin e grevës së mësimdhënësve dhe mos gatishmëria e Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e kërkesave të tyre dëmtojnë interesat dhe të drejtat e nxënësve dhe prindërve.

Apeli i SBASHK-ut drejtuar prindërve dhe nxënësve të Kosovës për të vazhduar grevën e filluar javën e kaluar për shkak të mos përmbushjes së kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë së Kosovës, sipas Këshillit të prindërve, është tejet shqetësues dhe i dëmshëm për Këshillin, prindërit dhe nxënësit e Kosovës.

“Këshilli i Prindërve të Kosovës ka pritur nga ana e Qeverisë së Kosovës që pas grevës një orëshe të javës së kaluar do të reflektojë në mënyrë që të shuhen kërkesat e sindikalistëve për vazhdimin e grevës. Edhe pse një gjë e tillë nuk ka ndodhur, kemi pritur që edhe Sindikata e Arsimit të bëj edhe një lëshim të radhës në interes të nxënësve dhe arsimit në përgjithësi duke ndryshuar formën e veprimit sindikal për realizimin e kërkesave të tyre shumë legjitime dhe të drejta”, thuhet në komunikatën e KPK-së.

Përkundër apelit të SBASHK-ut, Këshilli i Prindërve kërkon nga prindërit që fëmijët e tyre t’i dërgojnë me kohë në shkollë, sipas orarit të rregullt, kurse nga Drejtoritë Komunale të Arsimit, nga Drejtorët e shkollave dhe nga personeli ndihmës kërkojmë që të marrin masat e nevojshme për krijimin e kushteve për fillimin e mësimit me kohë.

“Ne jemi të vetëdijshëm për gjendjen e mësimdhënësve dhe për sakrificën e tyre të lartë në vitet. Nëpërmes kësaj komunikate për shtyp ripërsërisim apelin drejtuar Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që të marrin masat e nevojshme dhe të përmbushin obligimin e tyre ndaj mësimdhënësve. Njëkohësisht apelojmë SBASHK-n të ndryshojnë formën e veprimit sindikal e cila më pak mund të dëmtojë procesin mësimor dhe të heqin dorë nga ana e kësaj greve të paralajmëruar, në mënyrë që mos të krijohen pengesa për prindërit dhe nxënësit kurse ne do Ju mbështesim në forma tjera sindikale dhe do te jemi krah i fortë i mësimdhënësve”, thuhet në komunikatë.