Arbëri

Prindërit kërkojnë ndërhyrje nga Komuna në shkollën e Letnicës, të përmbytur nga uji

Rrëshqitja e dheut që është shkaktuar nga reshjet e shiut të muajit të shkuar ka dëmtuar objektin e një paraleleje të ndarë të një shkolle në Letnicë të Vitisë. Kjo situatë ka nxitur shqetësimin e prindërve për sigurinë e nxënësve. Ata paralajmëruan se nuk do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë nëse Komuna nuk e bën sanimin e plotë të dëmit

Rrëshqitja e dheut që është shkaktuar nga të reshurat e shumta të shiut, muajin e shkuar, ka shkaktuar dëme në një pjesë të objektit të paraleles së ndarë të shkollës “Dom Mikel Tarabulluzin” në fshatin Letnicë të Vitisë.

Për pasojë, uji nga lumi në afërsi pati depërtuar në hapësirat e shkollës. Ndonëse gjatë kësaj kohe janë bërë disa punime e procesi mësimor është zhvilluar normalisht, prindër të nxënësve shprehën shqetësim për sigurinë e fëmijëve. 

Disa prej tyre paralajmëruan që në rast se Komuna nuk ndërmerr veprime për ta sanuar dëmin, atëherë nuk do t’i dërgojnë më fëmijët në shkollë.

“Kushtet e shkollës janë katastrofë. Jemi ankuar, po i sjellin do bagerë po apet uji po hin brenda. Me intervenu dikush me e ndal ujin, a diçka me bo edhe ka rrëshqit dheu e ka dëmtu shkollën tash nuk ka siguri për fëmijët. Dheu ka rrëshqitë dhe e ka dëmtu shkollën pak, jonë kanë bagerat, por mirë nuk është apet, e keni pa gjendjen qysh”, ka thënë Jakim Limani, prind. 

Kryetari i fshatit, Shin Gjoni, e mbajti përgjegjëse Komunën e Vitisë për mossanimin e duhur të dëmit, edhe një muaj pas rrëshqitjes së dheut.

“Kjo është shembë para një muaji, por i kena lajmëruar njëherë të arsimit në Viti, kanë ardhë pak janë mundu me sanu, por shumë pak e kanë sanu. Ka nevojë me rregullu siç pe shihni edhe ju ka shumë baltë, ka dhe, ujë”, ka thënë Gjoni. 

E zëvendësdrejtori i Komunës, Hasan Aliu, ka thënë se deri më tash janë realizuar dy ndërhyrje, ndërsa paralajmëroi se ajo përfundimtare do të bëhet pas pushimit dimëror.

“Sërish dheu ka rrëshqitë dhe jemi dal edhe për herë të dytë e kanë hjek dheun dhe uji i cili del, rrjedh në shkollë e kemi kthye kahen e ujit në anën tjetër, për shkak që edhe shkolla ka qenë e mbushur me ujë, është pastru dhe mësimi është zhvilluar normalisht. Tash na kanë thënë ekspertët që po pritet ndoshta terja pak e terrenit për shkak se është terren shumë i rënd dhe me intervenu për herë të tretët për me largu krejt atë problem”, ka thënë Aliu.

Shkolla në Letnicë funksionon si paralele e asaj fillore “Dom Mikel Tarabulluzin”, në Stubëll.