Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prindërit ankohen se në tekstet shkollore mohohen të drejtat e njeriut

“Në familjen bashkëkohore kur të dy bashkëshortët punojnë, hetohen ndryshime edhe në raportet me fëmijët e tyre. Punësimi i prindërve kushtëzon raportet me fëmijët e tyre. Në rrethana të tilla, fëmijët e moshës së mesme kohën më të madhe duhet ta kalojnë në institucionet parashkollore apo edhe në mjediset shtëpiake në përkujdesje të të tjerëve”.

Ky është mësimi që u servohet nxënësve të klasës së nëntë nga teksti i Edukatës Qytetare, raporton KTV.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në një tjetër paragraf të mësimit “Familja bashkëkohore, marrëdhëniet midis brezave dhe problemet”, nxënësit mësojnë se si “Pavarësia ekonomike e gruas shton vetëbesimin dhe bën që lidhja bashkëshortore të konsiderohet jo aq e domosdoshme siç ka qenë më parë”.

Përmbajtja e tillë e teksteve mësimore ka bërë që disa herë të reagojnë këshillat e prindërve.

Sipas Bajram Beqirit, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës, është bërë kohë e gjatë prej kur është kërkuar nga Ministria e Arsimit të bëhet një zgjidhje dhe të ndryshohen këto tekste por deri tash nuk ka ndodhur.

KTV-ja ka tentuar të marrë një prononcim edhe nga autorët e librit.

Autori i parë, Demë Hoti, tha se duhet të kontaktojmë edhe autorin e dytë, por kjo ishte e pamundur.

Naser Zabeli nuk iu përgjigj telefonatave të televizionit.

Por edhe tekstet e shkollimit të mesëm kanë shumë vërejtje.

Organizata “Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut” ka kohë që po merret me analizën e tyre.

Ramadan Sokoli thotë se jo vetëm librat fillorë por edhe ata të shkollimit të mesëm kanë shumë punë për t’u ndryshuar.

Sipas Sokolit, Ministria e Arsimit duhet të formojë komisione të posaçme që do të ndihmonin në rishikimin dhe ndryshimin e teksteve ku ka nevojë.

E sipas këshilltarit politik në MASHT, Valmir Gashi, ministria e Arsimit shumë shpejt pritet të marrë masa.

Për këtë çështje ka reaguar edhe Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës.

Sipas komunikatës, përderisa fuqizimi ekonomik i gruas në botë vlerësohet si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm socio-ekonomik, në Kosovë gjeneratat e reja përmes teksteve shkollore të Edukatës Qytetare, edukohen se fuqizimi ekonomik është jo i domosdoshëm.