Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Presidenti i Këshillit Evropian vjen në Kosovë, takon Kurtin, Haxhiun e opozitën

Antonio Costa

Presidenti i Komisionit Evropian, Antonio Costa, do ta nisë një vizitë në rajonin e Ballkanit Perëndimor të hënën, më 1 qershor, gjatë të cilës do ta vizitojë edhe Kosovën. Costa nis turneun me vizitë në Sarajevë, për ta përfunduar më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi, ku do të zhvillohet samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Bashkimit Evropian. 

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë thënë se turneu nëpër vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Costa e zhvillon pikërisht në prag të samitit në Tivat dhe gjatë këtyre vizitave ai do ta rikonfirmojë përkushtimin për vazhdimin e procesit të zgjerimit të BE-së e të kërkojë nga partnerët nga ky rajon që të bëjnë më shumë në përmbushje të reformave. 

Po ashtu ai do të nënvizojë rëndësinë e përshtatjes me qëndrimet e Bashkimit Evropian në fushën e politikës së jashtme. Costa do ta vizitojë Kosovën më datën 3 qershor. Ai gjatë qëndrimit në Prishtinë do ta takojë kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ushtruesen e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu dhe liderët e partive opozitare. Prishtina është e vetmja qendër ku ai do të takojë edhe liderët e opozitës, e kjo sipas diplomatëve të Bashkimit Evropian ka të bëjë edhe me zgjedhjet, që do të zhvillohen në Kosovë disa ditë pas kësaj vizite. 

Samiti në Tivat po ashtu do të jetë një rast për të shënuar 20-vjetorin e Pavarësisë së malit të Zi, pasi mikpritës i takimit është presidenti i këtij vendi, i cili ka avancuar më së shumti në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE. 

Diplomatët në Bruksel kanë thënë se gjatë vizitës në rajon, Costa do të kërkojë nga liderët e vendeve të rajonit po ashtu të bëjnë më shumë në zgjidhjen e mospajtimeve bilaterale që kanë mes vete, në mënyrë që me këto veprime të përshpejtojnë rrugëtimin e tyre drejt BE-së.