Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Premtohet se për festë do të ketë rrymë mjaftueshëm, apelohet për kursim

Përmes një njoftimi për media KEDS dhe KESCO bëjnë me dije se kanë siguruar energjinë e mjaftueshme për furnizim me energji elektrike, në kohën e ndërrimit të moteve.

“Të njëjtën kohë mobilizimi i KEDS-it është në pikën më të lartë. Madje, kemi angazhuar edhe kontraktorë që secila situatë eventuale e papritur të evitohet sa më shpejt”, thuhet në njoftimin për media.

Megjithëkëtë KEDS-i apelon tek të gjithë konsumatorët që të bëjnë kursim maksimal të energjisë elektrike që të ketë furnizim sa më stabil në këtë periudhë festive.

“Në kohën e mbretërimit të temperaturave të acarta një numër i madh i qytetarëve po ngrohen me energji elektrike. Si rrjedhojë, kërkesa vazhdimisht është mbi 1000 Megavatë/orë. Ky veprim të njëjtën kohë po krijon tejnxehje të aseteve dhe mbingarkim të tyre, sidomos në disa zona të caktuara. Më të prekurat mbesin Fushë Kosova, Ferizaj, Malisheva dhe pjesërisht Prizreni e Suhareka”, thuhet në njoftim.