Arbëri

Prej pesë vjetësh zvarritet finalizimi i objektit të shkollës profesionale në Lipjan

Punimet në një objekt shkollor në Lipjan ka pesë vjet që zvarriten. Komuna ka planifikuar t’i sistemojë aty disa prej paraleleve të shkollave të mbingarkuara të qytetit. Riorganizimi do të përfshijë edhe shkollën “Vëllezërit Frashëri”, ku një klasë numëron deri në 43 nxënës, por për t’u bërë kjo, sipas zyrtarëve komunalë, duhet të përfundojë objekti i premtuar nga Ministria e Arsimit

Prej vitit 2017 po zvarritet finalizimi i objektit të shkollës profesionale në Lipjan, për të cilin Ministria e Arsimit pati planifikuar t’i shpenzojë rreth 2 milionë eurosh.

Shkollat në këtë qytet kanë mbingarkesë me nxënës, si në atë fillore “Vëllezërit Frashëri”, ku një klasë numëron deri në 43 veta. Një numër të paraleleve, Komuna e Lipjanit ka menduar ta sistemojë në objektin e ri të shkollës profesionale nëse ai finalizohet deri në shtator.

Shemsi Gajtani, kryetar i bordit të shkollës “Vëllezërit Frashëri”, ka thënë se nëse vazhdon të zvarritet projekti, atëherë mësimi do të duhet të zhvillohet me tri ndërrime.

“Ne kemi pasur shumë takime me prindërit dhe ata janë shumë të shqetësuar, andaj ka ardhur puna deri tek një koordinim i yni që të protestojmë, apo të organizohemi në forma të ndryshme deri në realizimin e nevojave shumë të mëdha që i ka shkolla jonë dhe nxënësit tanë”, ka thënë Gajtani.

Muhamet Kozhani, zv.drejtor i shkollës fillore “Vëllezërit Frashëri”, ka thënë se është e domosdoshme të finalizohet objekti në mënyrë që nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën të barten aty.

“Si objekt shkollor na pengon mbingarkesa e nxënësve. Dy vjet më parë është ndërtuar një aneks me 8 klasa, por prapë se prapë janë të mbingarkuara klasat deri në 43 nxënës, andaj është shumë e vështirë të arrihen qëllimet tona që i kemi planifikuar”, ka thënë Kozhani.

Rasim Hasani, drejtor i Arsimit në Komunën e Lipjanit, ka thënë se gjatë viteve të fundit komuna ka siguruar fondet dhe ka rinovuar objektin e vjetër të shkollës Profesionale, andaj objekti i ri pas finalizimit do të shfrytëzohet sipas nevojave të shkollave tjera.

“Faza e dytë që është në implementim e sipër pritet të përfundoi në vitin e ardhshëm dhe pastaj do të shpallet edhe një fazë plotësuese në mënyrë që projekti të jetë i gatshëm. Kjo për neve si komunë është tepër vonë sepse na duhet objekti sa më shpejt në kuadër të riorganizimit të shkollave sidomos në qytetin e Lipjanit për shkak të mbingarkesës të ndryshme, pra ai objekt na duhet të përfundoi sa më shpejt”, ka thënë Hasani.

Në Ministrinë e Arsimit tash e disa ditë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me zvarritjen e punimeve në këtë objekt.