Tiranë, 2 nëntor - 12 prefektët e rinj, të cilët vijnë nga radhët e shërbimit ushtarak, do të jenë një kullë vrojtimi e veprimtarisë shtetërore në terren.
Pas vendimit të Qeverisë, kryeministri Edi Rama ka prezantuar dje prefektët e rinj në qarqet e vendit duke theksuar se në fazën e re të qeverisjes së vendit, pas një sërë reformash, nevojitet një tjetër qasje për rolin e prefektit, bën të ditur ATSH.
Rama theksoi se prefektura ishte një institucion që mbeti në hije ndërkohë që dinamika e re e kësaj faze të re qeverisje kërkon një qasje dhe profil të ri të figurës së prefektit.
Kryeministri foli edhe për procesin e përzgjedhjes së 12 prefektëve të rinj, duke u shprehur se ata kanë shërbyer në shërbimin ushtarak. “Kemi ndërtuar një proces për rreth 40 ditë dhe në mënyrë aktive dhe skrupuloze kemi vlerësuar, pasi kemi rënë dakord për profilin e ri të Prefektit, kandidatura nga ushtarakët e lartë që nuk janë më pjesë e FA, por që janë bartës të një sërë njohurish dhe eksperiencash pa të cilat ky vend nuk ka luksin të bëjë”.
Pastaj, theksoi kryeministri, “kemi kaluar në një filtër të imët kandidaturat potenciale duke vlerësuar 12 prefektët e rinj për përgjegjësinë për shërbim publik pa kushte”.
Ai i vlerësoi ata për formimin e tyre të lartë profesional, për lidershipin e tyre si edhe për aftësitë menaxhuese për një karrierë ku ata kanë qenë të përfshirë në sfida të ndryshme brenda dhe jashtë vendit”.
Rama: Prefektët rol kyç në betejën kundër kultivimit të kanabisit.
Kryeministri Rama theksoi se qeveria vijon të jetë e angazhuar vendosmërisht në fazën e dytë të betejës së hapur kundër kultivimit të kanabisit, ku roli i prefektëve merr një rëndësi të veçantë.
Në këtë fazë i shkohet nga pas rrjeteve kriminale deri në vënien e tyre prapa hekurave si dhe për të rimarrë për publikun, asetet e tyre.
Rama kërkoi nga prefektët e rinj transformim rrënjësor edhe të institucioneve ku ata do të hyjnë duke filluar nga dita e nesërme, duke vendosur një kontroll të plotë rigoroz në fushën e tyre si dhe të jenë një kullë vrojtimi e veprimtarisë shtetërore në terren.
“Këta prefektë do të jenë përgjegjës përpara qeverisë për situatën e kontrollit të territorit në rang qarku”, tha Rama, duke shtuar se vënia e pushtetit vendor në funksion të gatishmërisë së emergjencave civile do të jenë në fokus të punës së tyre.
Basha: 12 prefektët, anëtarët e rinj të bandës së qeverisë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar sot në lidhje me emërimin e 12 prefektëve nga kryeministri Rama, duke i konsideruar 12 anëtarë të bandës së qeverisë.
Nëpërmjet një postimi në statusin e tij Facebook, Basha shprehet se: “Llustraxhiu doli sot me 12 shërbëtorë të rinj, në një përpjekje të dëshpëruar për t’a çuar vëmendjen diku tjetër, i zënë siç është nga skandali i madh i narko-shtetit. Po ç’lidhje kanë ca të emëruar, qe as nuk do të marrin frymë pa lejen e tij, kur pushtetin e vërtete ai e ndan me kupolën mafioze e me oligarkët e tenderave”.
Po ashtu, Basha thekson se “siç janë punët, 12 prefektët janë 12 anëtarët e rinj të bandës. Ndoshta, ka prej tyre që nuk janë nisur me atë qëllim, por shpejt, do ta shohin veten si noterë e shërbëtorë të Habilajve e familjeve mafioze që janë realisht prefektet e Edi Ramës në 12 qarqet e vendit”.
Prefektët e emëruar
Roland Nasto emërohet prefekt i Qarkut të Durrësit
Çesk Millja emërohet prefekt i Qarkut të Shkodrës
Baki Bala emërohet prefekt i Qarkut të Fierit
Dhori Spirollari emërohet prefekt i Qarkut të Korçës
Harilla Dafa emërohet prefekt i Qarkut të Beratit
Nexhbedin Shehu emërohet prefekt i Qarkut të Dibrës
Astrit Aliaj emërohet prefekt i Qarkut të Gjirokastrës
Suzana Jahollari emërohet prefekt i Qarkut të Tiranës
Maksim Malaj emërohet prefekt i Qarkut të Elbasanit
Zenel Kuçana emërohet prefekt i Qarkut të Kukësit
Gjergj Prendi emërohet prefekt i Qarkut të Lezhës
Flamur Mamaj, emërohet prefekt i Qarkut të Vlorë .