Zhvillimet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel gjatë muajit shtator e një kërkesë për Asociacionin e kryeministrit të atëhershëm, Avdullah Hoti, bënë që zyrtarë të BE-së e të shteteve të QUINT-it, të kërkojnë sqarime e t’ia tërheqin vërejtjen, tash ish-kreut të ekzekutivit. Në raportin e koordinatorit shtetëror të dialogut, Skënder Hyseni, të hartuar për shefin e tij në fund të vitit të kaluar, shpalosen pjesë nga diskutimet e bëra
Kërkesa e ish-kryeministrit, Avdullah Hoti, për shtyrjen e diskutimeve lidhur me Asociacionin e komunave serbe, kishte nxitur reagimin e Bashkimit Evropian e të shteteve të QUINT-it. Sipas raportit të koordinatorit shtetëror për dialogun gjatë qeverisjes së Hotit, Skënder Hyseni, BE-ja dhe Gjermania në veçanti, ishin të shqetësuara me sjelljen e Avdullah Hotit në lidhje me këtë çështje. Pas takimit që Hyseni kishte pasur me të ngarkuarin me punë në Ambasadën gjermane e me shefin e BE-së në Kosovë, ku edhe ishin shfaqur shqetësimet e tyre, Hoti i kishte ftuar në takim ambasadorët e QUINT-it.
“Kryeministri Hoti rikonfirmoi qëndrimin e tij se ishte i gatshëm të fillonte bisedat në Bruksel për statutin e Asociacionit, por u bëri lutje që ta përkrahnin që kjo temë të lihej për një fazë më të vonshme të dialogut, me shpresë se ndërkohë, spektri politik do të arrinte konsensus rreth kësaj teme”, thuhet ndër të tjera në raportin 29-faqesh të Skënder Hysenit, hartuar fundvitin e shkuar, publikuar të premten nga Qeveria e tanishme.
Lutjes së Hotit për mirëkuptim u ishin përgjigjur pozitivisht ambasadorët, por të cilët i kishin tërhequr vërejtjen se nuk do të pajtoheshin që Kosova të hiqte dorë nga obligimi për zbatimin e Asociacionit. Paraprakisht, sipas raportit, me një sërë gabimesh drejtshkrimore, kishte një varg zhvillimesh rreth çështjes së Asociacionit. Një ditë para takimit në Washington, Lajçaku kishte përmendur se diskutimi për Asociacionin ishte në agjendën e takimit të 7 shtatorit.
“Një ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë, koordinatori shtetëror mori një letër nga Miroslav Lajçaku, ku njoftonte me agjendën dhe temat e takimit në nivel të lartë të 7 shtatorit. Mes të tjerash shkruante se do të diskutonte për Asociacionin edhe pretendimet financiare. Tema këto për të cilat, sipas Lajçakut, ishin dakorduar kryeministri Hoti dhe presidenti serb, Vuçiq, që në takimin e parë”.
Por, në pjesën kur flitet për takimin e paralajmëruar, koordinatori shtetëror nuk tregon nëse çështja e Asociacionit është diskutuar.
“Ndërsa të nesërmen, 7 shtator, u zhvillua takimi i dytë Hoti-Vuçiq në prani të Borellit, në fillim, për të vazhduar pastaj me z. Lajçakun. Palët u dakorduan për tekstin e tri elementeve të marrëveshjes: Marrëdhëniet ekonomike, të pagjeturit dhe të zhvendosurit, me anekset përkatëse”, ishte i vetmi sqarim i Hysenit.
Takimet në nivel ekspertësh u planifikuan të vazhdonin 10 ditë më pas, derisa sipas koordinatorit shtetëror, Skënder Hyseni, pjesëmarrja e palës serbe nuk ishte e sigurt, shkaku i refuzimit të palës kosovare për të diskutuar për Asociacionin. Megjithëkëtë, takimi u mbajt. Diskutimet e bëra, Hyseni i përshkruan si “më të tensionuarat deri atëherë”.
“Diskutimet ishin shumë të ashpra, më të tensionuarat deri atëherë. Pala serbe nxori në tavolinë propozime tërësisht të papranueshme dhe irracionale, gjë që bëri edhe Lajçakun ta humbiste kontrollin. Reagimi i delegacionit të Kosovës në propozimet serbe ishte i rreptë, por i bazuar në fakte e argumente, edhe historike po edhe substanciale. Takimi mbaroi pa asnjë dakordim, pos pajtimit në parim që të dyja palët të dërgojmë propozimet tona te Zyra e Lajçakut”, sqaroi Hyseni në raportin e tij, të hartuar për kryeministrin Avdullah Hoti.
Edhe pas ndryshimit të qeverisjes në Kosovë, në fillim të këtij viti, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e zyrtarë të tjerë serbë vazhdojnë të insistojnë se tema e Asociacionit do të jetë çështje diskutimi në bisedimet mes dy shteteve. Paralajmërimeve të Serbisë nuk u janë përgjigjur nga Qeveria e Albin Kurtit.