Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Politikani gjerman për Vuçiqin: Në BE nuk ka vend për shërbëtorët e Putinit

“Situata është jashtëzakonisht shqetësuese. Demokracia është në rrezik. Për shumë evropianë të përkushtuar dhe miq të Ballkanit Perëndimor, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe regjimi i tij nuk janë më partnerë të besueshëm. Në BE nuk ka vend për shërbëtorët e Putinit”, thotë në një intervistë për portalin serb “Nova” kryetari i Këshillit për Punë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth. Politikani i njohur gjerman ka tërhequr vërejtjen se Bashkimi Evropian më nuk e ka luksin të mos ndërhyjë në punët e brendshme të ndonjë vendi. “Nuk guxojmë të jemi indiferentë nëse parimet themelore të demokracisë dhe sundimit të ligjit janë nën presion në ndonjë nga vendet tona partnere. Ekziston madje edhe detyrimi për të ndërhyrë”, ka theksuar Roth, shkruan KDP.

1. Në një postim në rrjetin social X keni theksuar se Vuçiq kërcënon paqen në Ballkanin Perëndimor. A janë ngjarjet paszgjedhore ilustrimi i vetëm i kësaj?

Roth: Serbia gjatë mandatit presidencial të Vuçiqit, ka humbur gjithnjë e më shumë statusin e një demokracie, në masën e saj të plotë. Parregullsitë zgjedhore konfirmuan edhe një herë këtë trend alarmant. Vëzhguesit ndërkombëtarë në këto zgjedhje raportuan për blerjen e votave dhe përdorimin e votuesve fantomë në favor të SNS-së në pushtet. Këto janë metoda nga arsenali i sundimtarit autokrat – e jo të një presidenti që është i përkushtuar ndaj demokracisë dhe sundimit të së drejtës dhe që dëshiron ta çojë vendin e vet në BE. Mirëpo, Vuçiq nuk kërcënon vetëm paqen e brendshme në Serbi, ai është edhe dikush që shkakton probleme të vazhdueshme në rajon. Kujtoni vetëm precedentin me dislokimin e trupave në kufirin me Kosovën, kah fundi i shtatorit 2023.

2. A mundet Qeveria e ardhshme e Serbisë, duke marrë parasysh të gjitha ngjarjet para dhe gjatë zgjedhjeve, të konsiderohet bashkëbisedues legjitim për bashkësinë ndërkombëtare, një Qeveri e tillë a ka fare legjitimitet?

Roth: Ne nuk mund të zgjedhim bashkëbiseduesit në Beograd. Por akuzat serioze kanë hedhur një hije shumë të errët mbi marrëdhëniet tona. Pritshmëria ime është që organet dhe gjykatat kompetente do të sqarojnë gjithçka lidhur me këto akuza dhe, nëse është e nevojshme, t’i hapin rrugën përsëritjes së zgjedhjeve. Fuqia e demokracisë funksionale kushtetuese qëndron në aftësinë e saj për të korrigjuar gabimet. Shikojeni vetëm Gjermaninë: në disa njësi zgjedhore të Berlinit, zgjedhjet për Bundestagun do të përsëriten në shkurt, edhe atë për shkak të parregullsive në shtator 2021. Vendimin e gjykatës më të lartë gjermane e njohën të gjitha partitë demokratike. Mirëpo, në Serbi nuk kam përshtypjen se presidenti Vuçiq po i merr kritikat në mënyrë konstruktive. Në vend të kësaj, ai përhap teori konspirative, reagon ashpër dhe përpiqet të frikësojë ata që marrin pjesë në protestat e opozitës dhe të shoqërisë civile.

Edhe Roth: Me Vuçiqin në krye, Serbia në asnjë mënyrë s’do të hyjë në BE Arbëri Roth: Me Vuçiqin në krye, Serbia në asnjë mënyrë s’do të hyjë në BE

3. Partia juaj, si dhe gjithë koalicioni qeverisës, i dënoi ngjarjet në Serbi, ndërsa nga qëndrimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, mund të konstatohet se Berlini nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve?

Roth: Jam mirënjohës që Ministria gjermane e Punëve të Jashtme reagoi shumë herët dhe shumë qartë në lidhje me parregullsitë në zgjedhje. Theksuan se frikësimi i votuesve dhe blerja e votave janë “të papranueshme” për një vend me statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Për mua, i vetmi përfundim që mund të nxirret nga kjo analizë e saktë është se zgjedhjet duhet të rishikohen dhe, nëse pohimet vërtetohen, të anulohen dhe të përsëriten. Këtë kritikë e mbështetet një shumicë e madhe në Bundestag, duke përfshirë edhe opozitën demokratike.

4. Në çfarë mënyre Gjermania, si shteti më i fuqishëm në BE, mund të ndikojë tek autoritetet serbe që të zbatojnë rekomandimin për përsëritjen e zgjedhjeve? Çfarë sanksionesh mund të pasojnë nëse pushteti në Serbi refuzon ta bëjë këtë?

Roth: Situata është skajshmërisht shqetësuese. Demokracia është në rrezik. Nuk dua të dorëzohem kollaj kur bëhet fjalë për perspektivën evropiane të Serbisë. Gjermania është një nga ithtarët më të fortë që shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Serbinë, të bëhen anëtare të BE-së. Por për shumë evropianë të përkushtuar dhe miq të Ballkanit Perëndimor, Presidenti Vuçiq dhe regjimi i tij nuk janë më partnerë të besueshëm. Në BE nuk ka vend për shërbëtorët e Putinit.

5. Si i komentoni akuzat gjithnjë e më të shpeshta se Gjermania po përzihet në punët e brendshme të Serbisë?

Roth: Evropa nuk është vetëm treg unik, por para së gjithash bashkësi e verave unike. Demokracia dhe sundimi i së drejtës janë themeli i Bashkimit Evropian, të cilit Serbia do të dëshironte t’i bashkohej. Mbrojtja e këtyre vlerave është një detyrë e vazhdueshme për të gjithë ne. Në Evropë, çdo shoqëri kombëtare më nuk kujdeset vetëm për veten, por duhet të kujdesemi edhe për njëri-tjetrin. Ne jemi të ndërlidhur në aq shumë mënyra, saqë nuk na mbetet zgjidhje tjetër veçse të shikojmë përtej kufijve tanë kombëtarë. Ashtu si ne jemi të prekur nga mënyra se si një shtet anëtar vendos për çështjet buxhetore ose ekonomike, ne nuk duhet të jemi indiferentë nëse parimet themelore të demokracisë dhe të sundimit të së drejtës gjenden nën presion në ndonjërin nga vendet tona partnere. Në BE më nuk vlen parimi klasik i mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera. Përkundrazi: ekziston edhe detyrim për ndërhyrje!

6. A jeni dakord me vlerësimin e kolegut tuaj Josip Juratoviq se Gjermania nuk mund të bashkëpunojë më me Vuçiqin dhe qeverinë e tij?

Roth: Kjo nuk është koha për afarizëm të zakonshëm. Për vite me radhë kemi toleruar nacionalizmin agresiv të Presidentit Vuçiq dhe flirtin e tij me autokracinë. Por përvoja tregoi se lëshimi pe dhe pajtueshmëria nuk janë të zbatueshme kur kemi të bëjmë me sundimtarë autoritarë. Kjo nuk është kohë për të thelluar bashkëpunimin tonë apo për të ndërmarrë hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit në BE. Kjo është një test lakmusi për Vuçiqin që të shohë me të vërtetë sesa serioz është për ambiciet e tij evropiane. Shteti që synon të bëhet anëtar i BE-së duhet gjithashtu të ndajë vlerat dhe perspektivën e saj gjeopolitike. Vetëm nëse qeveria serbe u përkushtohet vlerave evropiane, pa kurrfarë “nëse” dhe “por”, përmbahet nga provokimet e mëtejshme në rajon dhe i jep fund politikës së vet të jashtme të dyfishtë, ndërmjet BE-së dhe Rusisë, unë shoh mundësinë për një fillim të ri.

Edhe “Mr. Vucic is an a**hole, but he is our a**hole!” Arbëri “Mr. Vucic is an a**hole, but he is our a**hole!”

7. A është e pazakontë që ambasadorët rusë dhe amerikanë ranë dakord për epilogun e zgjedhjeve në Serbi? Si mund të pritet atëherë reagimi i bashkësisë ndërkombëtare, nëse shohim se Lindja dhe Perëndimi pajtohen për këtë?

Roth: Kushdo që vazhdon të minimizojë ndodhitë serioze në Serbi nuk është më për ta besuar. Deklaratat nga Moska për mua parimisht nuk janë reper, ama jam shumë i zhgënjyer nga reagimet e Brukselit dhe Uashingtonit, të cilët u përmbajtën nga dënimi i qartë i mashtrimit të pretenduar zgjedhor.