Më të varfër se para një viti janë paraqitur tre liderët e shtetit në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion. Presidentja, kryeparlamentari e kryeministri kanë deklaruar para të gatshme më pak sesa që kishin një vit më parë. E në legjislativ, deputeti më i pasur vazhdon të jetë Behgjet Pacolli. Mirëpo, në Kuvend ka edhe deputetë të tjerë milionerë. Njëri nga ta, një kapele domethënëse për të ia ka caktuar vlerën 1 milion euro.
Vetëm me një beretë blu të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputeti i Partisë Demokratike, Hisen Berisha, e ka deklaruar veten milioner në Agjencinë Kundër Korrupsion.
Në formularët e AKK-së, Berisha ka thënë se ky vlerësim për beretën ka qenë vetëm akt teknik, pasi ajo, sipas tij, s’ka çmim.
Nga e gjithë pasuria milionëshe e deklaruar si e përbashkët, në pronësinë e tij, pos beretës, Berisha ka deklaruar edhe dy vetura në vlerë prej 19 mijë eurosh.
“As një milion, as 10 as 100 miliardë, s’mund të kundërpeshojnë peshën e beretës blu. S’kanë çmim nominal, por kanë çmim historik. S’ka milion që e paguan beretën e UÇK-së”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Nga kolegët e tij deputetë, më pasaniku vazhdon të jetë kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli.
E nga shefat e grupeve parlamentare prin deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
Nga pasuria e deklaruar gati 1 milion e gjysmë, në pronësi vetëm të tijën ka deklaruar 500 mijë euro tokë dhe afër 10 mijë euro kursime. Si dhe ka një kredi prej 80 mijë eurosh, nga to 26 mijë ende të papaguara.
E në ekzekutiv, kursimet e tre liderëve të shtetit janë tkurrur sipas deklarimit të pasurisë.
Nga mbi 35 mijë euro sa kishte deklaruar vitin e kaluar si para të gatshme në bankë, presidentja Vjosa Osmani sivjet ka deklaruar më pak se 300 euro kursime, ani se rroga vjetore është rreth 40 mijë euro.
Në pronësi të përbashkët ajo ka deklaruar shtëpi në vlerë prej 170 mijë eurosh derisa në pronësi të bashkëshortit, Prindon Sadriu, e ka deklaruar shtëpinë 520,000-euroshe në Australi, e blerë pas shitjes së shtëpisë paraprake në po atë vend.
Nga 8 mijë euro para të gatshme vitin e kaluar, sivjet, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka deklaruar dy mijë më pak.
Në pronësi të tij ai e ka deklaruar një banesë, një depo e një parking të gjitha në vlerë mbi 67 mijë euro.
E edhe më pak para të gatshme ka deklaruar kryeministri Albin Kurti, gjithsej 119 euro në bankë.
Nga të hyrat vjetore Kurti merr 16 mijë euro pagë neto mirëpo nuk ka deklaruar se merr mëditje.
Ai ka detyrime financiare rreth 250 euro në muaj për qiranë e shtëpisë në të cilën qëndron derisa e ka deklaruar edhe banesën 400 000-euroshe në Norvegji në pronësi të bashkëshortes.
E vartësi i tij, Besnik Bislimi, ka deklaruar dy banesa e një veturë në vlerë prej 155 mijë eurosh.
Bislimi më shumë ka deklaruar të hyra vjetore nga puna e tij si ligjërues në një nga universitetet në Kosovë sesa nga pozita e zëvendëskryeministrit.
E ministri që mban kuletën e shtetit me 3.2 miliardë euro buxhet, Hekuran Murati ka banesë, tokë e para të gatshme në vlerë prej 77 mijë eurosh.
Lideri opozitar, Memli Krasniqi, ka deklaruar se ka një banesë, e cila ka vlerën e 120 mijë eurove dhe një shtëpi me vlerë prej 180 mijë eurosh.
Ai ka deklaruar në pronësi të bashkëshortes një veturë të tipit “Volkswagen”, e cila ka vlerën e 22 mijë eurove.
Sipas deklarimit në AKP, kreu i PDK-së ka deklaruar afër 30 mijë euro vlerën e aseteve në kriptovaluta.
E kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar dy shtëpi, njëra e blerë, në vlerë të 200 mijë eurove dhe tjetra e trashëguar, në vlerë të 150 mijë eurove.