Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Policia: Siguruam që zyrtarët e komunave veriore t'i ushtrojnë të drejtat e tyre

Pas betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, Policia e Kosovës në një njoftim për media ka bërë të ditur se ka ndërmarr të gjitha veprimet për siç thuhet, mundësimin e ushtrimit të së drejtës së zyrtarëve të komunave veriore.

“Është detyrë e Policisë së Kosovës që të ofrojë siguri, të mbrojë të drejtat themelore të të gjithë personave, të ruajë pronën publike dhe private si dhe t’ua mundësojë lëvizjen e lirë dhe ushtrimin e të drejtave të gjithë personave pa dallim. Në kuadër të detyrave dhe autorizimeve ligjore, Policia e Kosovës ka bërë planifikimet e saja për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe mundësimin e ushtrimit të së drejtës së zyrtarëve të komunave veriore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit qëllimi i planifikimeve dhe koordinimeve me institucionet relevante, ka qenë dhe vazhdon të jetë krijimi i një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, mundësimi i ushtrimit të së drejtës së zyrtarëve të komunave si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme, siç thuhet, që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin në vend.

“Situata ka kaluar e qetë dhe pa incidente, Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët pa dallim dhe njëherit vazhdon t’i inkurajojë që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, për çdo rast që ndërlidhet me sigurinë dhe rendin publik”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se Policia, sipas detyrës zyrtare dhe objektivave të parapara strategjike, po vazhdon angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend.

{gallery}