Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Policia në Mitrovicë është mbledhur për një ushtrim të planifikuar më parë

Situata e sigurisë në qytetin e Mitrovicës, përkundër zërave të ndryshëm për tension, vazhdon të jetë e qetë dhe stabile.

Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti ka bërë të ditur për KosovaPress se situata në jug të Mitrovicës është e qetë dhe stabile.

Sipas tij, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme sa i përket jugut në këtë qytet.

Edhe Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Besim Hoti, situatën aktuale të sigurisë në atë pjesë e ka përshkruar krejtësisht të qetë.

“Është një ditë e rëndomtë pa ndonjë aktivitet që mund të kërcënojë sigurinë e përgjithshme ose rendin publik”, ka thënë Hoti për KosovaPress.

Edhe KFOR: Shtimi i trupave dhe i patrullimeve në Kosovë mundëson që t’u përgjigjemi të gjitha situatave Arbëri KFOR: Shtimi i trupave dhe i patrullimeve në Kosovë mundëson që t’u përgjigjemi të gjitha situatave

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë ditës së djeshme ka deklaruar poashtu se situata e sigurisë në këtë qytet vazhdon të jetë stabile, ndërsa njëri nga deputetët serbë të Parlamentit të Kosovës, i cili ka dashur të mbetet anonim, i ka thënë KosovaPress-it përmes telefonit se është i habitur me titujt e mediave kur shkruajnë për veriun e edhe për jugun e Mitrovicës.

“Vërtetë nuk e di kush dhe për çka është duke sajuar gjërat. Pse duhet e gjithë kjo. Njerëzit të frikësuar nga të dy anët po më thërrasin, ndërsa unë me familje kam dal mbrëmë dhe sot të shëtisë nëpër rrugët e qytetit me qëllim që njerëzit të kuptojnë se nuk është duke ndodhur asgjë”, ka thënë ai.

Ndryshe, njësitet elitare të Policisë së Kosovës janë grumbulluar në bazën “Belvedere” të Mitrovicës, por siç mëson KosovaPress-i, prania e tyre ka të bëjë me një ushtrim të planifikuar më herët.


MPB-ja thotë se situata në Mitrovicë është e qetë

E plotësuar: 11:23 - Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Abduselami Shkodra, në një përgjigje për Koha.net thotë se asnjë polic i Forcave Policore të Kosovës, nuk ka shkuar në veri dhe se gjendja është stabile.

Ai tha se siguron qytetarët që situata është e qetë dhe stabile.

Edhe KFOR-i reagon pas deklaratave të Kurtit: Situata e qetë Arbëri KFOR-i reagon pas deklaratave të Kurtit: Situata e qetë

“Situata është krejt normale. Asnjë polic i njësive speciale nuk ka lëvizur në veri të vendit, me përjashtim të atyre që janë permanent në rajonin e Mitrovicës. Situata është e qetë dhe nuk ka as një lloj indicie deri në këtë kohë që të ketë ndonjë destabilizim apo trazira të ndryshme “, tha Shkodra.


10:55 Forca Policore të Kosovës nisin të grumbullohen në Mitrovicë

Ndonëse dje u raportua gjatë ditës se gjendja në Mitrovicë është stabile, megjithatë mëngjesin e sotëm Forcat Policore kanë filluar të grumbullohen.

Sot njësitë elitare të Policisë së Kosovës, bashkë me forcat elitare “FIT” dhe forca tjera speciale nga Prishtina, kanë filluar të grumbullohen në bazën “Belvedere” që gjendet në fshatin Frashër të Mitrovicës.

Koha.net ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, dhe ata nuk e kanë mohuar një gjë të tillë, por kanë thënë se Forcat Policore janë të gatshme për çdo rast, pa dashur të japin detaje tjera.

Edhe ​Elshani: Jemi të përgatitur për çfarëdo situate në veri Arbëri ​Elshani: Jemi të përgatitur për çfarëdo situate në veri

Dje pranë liqenit të Ujmanit, u pa një numër i madh i ushtarëve të KFOR-it, por siç thanë ata, prania e tyre ishte vetëm pjesë e një ushtrimi të planifikuar. Ndërkaq, zv.ministri i Punëve të Brendshme, Abduselami Shkodra tha se pavarësisht situatës së qetë, institucionet e Kosovës kanë marrë me seriozitet çdo veprim.

Kujtojmë se ditë më parë, me një urdhër operativ Policia e Kosovës ua ka ndërprerë shkuarjen në pushime pjesëtarëve të uniformuar të saj.