Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Policia ndërhyn në një tollovi në Qendrën e Vaksinimit në Gjakovë

Policia e Kosovës ka ndërhyrë në Qendrën e Vaksinimit në Gjakovë të shtunën në mbrëmje, për shkak të një tollovie që ka ndodhur aty. Burime të ndërlidhura me ngjarjen kanë thënë për KOHËN se disa qytetarë edhe pse kanë thënë se kanë terminë nuk u është mundësuar vaksinimi dhe derisa ata kanë kundërshtuar të tërhiqen, aty ka shkuar një patrullë e Policisë së Kosovës dhe i ka detyruar të largohen.

Derisa ka pasur ankesa dhe dyshime se në qendër mungojnë vaksinat përkundër terminëve, KOHA ka kontaktuar me zyrtarët e Qendrës së Vaksinimit dhe aty kanë thënë se nuk bëhet fjalë për kurrfarë mungese vaksinash. Kryeinfermierja Makfirete Berisha ka sqaruar se deri tek problemi nuk ka ardhur për shkak të mungesës së vaksinave.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ne para orës 20:00 shikojmë se sa njerëz kemi brenda sallës dhe pasi vlerësojmë se sa persona mund të vaksinojmë deri në mbyllje të orarit, e mbyllim derën dhe punojmë vetëm me ata”, ka sqaruar ajo. “Në ndërkohë në sallë kanë ardhur edhe disa persona të tjerë që nuk është dashur të hyjnë, pasi e kemi pasur numrin maksimal brenda dhe ata janë revoltuar, dhe për pasojë ka ardhur deri te nevoja që policia t'i nxjerrë jashtë ata.”

Ajo ka thënë se në Qendrën e Vaksinimit në Gjakovë aktualisht po jepen vaksinat “AstraZeneca”, për dozën e parë dhe “Pfizer” për dozën e dytë. Sipas saj, fillimisht ka pasur disa pakënaqësi e kundërshtime ndaj “AstraZencës” por tani po pranohet edhe ajo.

KOHA ka provuar të kontaktojë edhe zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Nysret Gjurkaj për të marrë versionin e tyre rreth ngjarjes, por ai ka qenë i paqasshëm.

Përndryshe Policia e Kosovës sipas njoftimeve është e pranishme çdo ditë në Qendrën e Vaksinimit në Gjakovë me qëllim të evitimit të tollovive e problemeve eventuale ndërkaq të shtunave aty ka vetëm patrulla të herëpashershme.