Ekipi i vaksinimit në qendrën tregtare “Nertili” në Gjakovë nuk ka pasur fare punë të mërkurën. As një qytetar nuk ka vizituar këtë qendër për t’u vaksinuar kundër COVID-19.
Drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi në Gjakovë, Afërdita Spahiu-Shllaku, e pyetur për shifrat e fundit në këtë qendër, ka njoftuar se të mërkurën s’ka pasur asnjë vaksinim.
Ajo ka thënë se pos këtij ekipi në këtë qendër tregtare, ka edhe ekipe që shkojnë nëpër shtëpi për vaksinim, te njerëzit në nevojë, që për shkaqe të ndryshme s’kanë mundësi të paraqiten në qendrat e vaksinimit.
Mungesën e interesimit për vaksinim Spahiu-Shllaku e ndërlidh me rënien e numrit të të infektuarve.
“Në momentin që bie numri i të infektuarve, bie edhe interesimi për vaksinim”, ka deklaruar ajo.
Sipas të dhënave të Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Gjakovës deri tani në këtë komunë janë administruar në total 96 mijë e 427 vaksina anti-COVID. Prej tyre 45 mijë e 269 qytetarë i kanë marrë nga dy doza, ndërsa gati 6 mijë qytetarë janë në pritje të dozës së dytë.