Policë serbë janë parë pasditen e së mërkurës në malin pranë kufirit në Jarinjë në veri, nga zyrtarë të Policisë së Kosovës. Të dyja forcat policore po vëzhgojnë njëra-tjetrën me dylbi.
Siç ka mësuar KOHA, Policia e Kosovës i ka identifikuar së paku 10 policë serbë. Informatat janë që ka lëvizje të tyre pranë kufirit.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka ndaluar prurjen e kamionëve shtesë, të mbushur me zhavorr, në rrugën, tashmë të bllokuar, që çon në pikën kufitare në Jarinjë.
Të hënën, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë. Veturat me këto targa, në hyrje të Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa RKS t’i ndërrojnë ato kur futen në Serbi. Masa nxiti reagimin e serbëve që me vetura e kamionë kanë bllokuar që tash e tre ditë rrugët në drejtim të pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak në veri. Policia e Kosovës me njësi të shtuara është duke qëndruar në këtë zonë.
Të martën, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kërkoi tërheqjen e trupave të Kosovës nga veriu “e më pas të ulemi të bisedojmë”. Ai po ashtu ka kërkuar një përgjigje urgjente nga Bashkimi Evropian, nëse marrëveshjet e Brukselit janë në fuqi apo jo. Ka thënë se për këtë do të presë muajin e ardhshëm e nëse s’merr përgjigje “është shenjë se marrëveshjet s’ekzistojnë”. Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, s’është tërhequr nga qëndrimi i tij. Ai u ka thënë edhe ndërkombëtarëve se “ose po i lëmë të dyja shtetet masat, ose po i heqim të dyja”.

-
Situata te protestuesit në Jarinjë vazhdon të jetë e qetë
-
Pikat kufitare me Serbinë, të bllokuara edhe në ditën e gjashtë
-
Vetura të xhandarmërisë serbe patrullojnë afër Policisë së Kosovës në Jarinjë
-
Serbët nuk heqin dorë nga protesta, rruga mbetet e bllokuar
-
Kurti ua kërkon serbëve t’i zhbllokojnë rrugët, zgjidhja për targat thotë se është dialogu