Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Policia ankohet edhe për veshmbathje

Kryetari i Sindikatës së Policëve, Imer Zeqiri

Mungesa e sigurimit shëndetësor, shujtave dhe çmimi modest i pagesës për ndërrim të natës s’janë të vetmet ankesa që kanë policët në Kosovë. Sipas kryesindikalistit të policëve policët kanë mungesë edhe të veshmbathjes e autobusë të vjetëruar.

Kryetari i Sindikatës së Policëve, Imer Zeqiri, ka thënë se vendimi i Qeverisë për ndarjen e shumës prej 100 eurosh nuk është për t’u nënçmuar. Ai në emisionin “SOT” në KTV ka thënë se kjo nuk ka qenë kërkesë e Policisë së Kosovës dhe kjo mund të jetë vetëm një ndihmë për rimëkëmbje.

Zeqiri ka thënë se kërkesa e tyre ka qenë një ngritje page deri në miratimin e Ligjit për Paga.

“Duke llogaritur ecurinë e procedurave të Ligjit për Paga, ne kemi kërkuar që për Policinë e Kosovës të bëhet një shtesë në pagë apo të rriten pagat. Ne jemi në diskutim për këtë çështje edhe me ministrin dhe institucionet tjera qeveritare. Po shpresojmë që Qeveria ta kthejë vëmendjen pak nga Policia, sepse kërkesat tona nuk janë vetëm këto. Mendoj që Qeveria do të vendosë pozitivisht që të mos na detyrojnë të marrim hapa sindikal”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se institucionet janë të hapura ndaj kërkesave të tyre.

Zeqiri ka thënë se janë pa ligj të pagave, pa sigurim shëndetësor, pa shujta dhe me një ndërrim të natës që paguhet me një çmim modest. Ai ka thënë se Policia e Kosovës punën e saj po e kryen në mënyrë profesionale dhe kushtet nuk janë ato që duhet të jenë.

“Ne kemi shumë shpesh edhe mungesë të veshmbathjeve, përkatësisht çizmeve. Kemi veturat, apo autobusët shumë të vjetruar. Kemi kërkesa tjera edhe për shumë gjëra tjera që na duhen brenda Policisë. Kemi mbi 25 projekte që janë bllokuar në OSHP. Jemi institucioni i vetëm i sigurisë, ndoshta në botë, që nuk kemi sigurim shëndetësor. Në këtë pikë kam diskutuar me qeveritarët dhe kam kërkuar një shumë prej 5.000 euro për 9200 pjesëtarë të Policisë. Kjo është një shumë modeste”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se për të gjitha këto kërkesa janë në diskutim, duke bërë të ditur se ka bërë kërkesë edhe për takim me kryeministrin Albin Kurti ndonëse një gjë e tillë ende nuk është mundësuar.

Zeqiri ka shtuar se nuk e kanë në agjendë protestën, pasi po të planifikonin një veprim të tillë do të kishte destabilizim.

Sipas tij, nuk duhet të vijë puna edhe të Policia të merren hapa sindikalë.

Ai ka thënë se deri tani janë 21 policë të vrarë gjatë detyrave dhe mbi 400 policë të lënduar gjatë detyrave zyrtare.

Zeqiri ka thënë se policët dalin me 100 euro pension dhe sipas tij, kjo është e turpshme.

VIDEO:

 

 

Artikuj të ngjashëm