Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Podujeva nënshkruan marrëveshje për ndërtimin e Urgjencës

Podujeva do të bëhet me urgjencë të re, pas një memorandum bashkëpunimi që është nënshkruar ndërmjet kryetarit të komunës, Shpejtim Bulliqi dhe përfaqësuesit të “Qatar Charity”, Esam Dabab. Ky objekt do të kushtojë 1.2 milionë euro, ndërkohë që dy zyrtarët i kanë nënshkruar edhe dy memorandume në fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale.

Sipas njoftimit, në fushën e shëndetësisë, gjithashtu është nënshkruar edhe memorandumi për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Gllamnik, vlera e të cilës është rreth 225 mijë euro.

“Në këtë takim marrëveshje bashkëpunimi është nënshkruar edhe në fushën e mirëqenies sociale, përmes të cilës, Organizata 'Qatar Charity' në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DSHMS) do të shpërndajë 200 pako me artikuj ushqimorë, jorgan dhe batanije për familjet me kushte të rënda ekonomike”, thuhet në njoftim.

Bulliqi ka shprehur falënderime teksa ka thënë se komuna është e angazhuar për të përmbushur të gjitha zotimet.