Me një ceremoni zyrtare, të hënën, ka nisur ndërtimi i objektit të Urgjencës së qytetit të Podujevës, i cili do të kushtojë 1.7 milion euro dhe do të financohet nga populli i Katarit (1.1 milion euro) dhe Komuna e Podujevës (600 mijë euro).
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se me ndërtimin e këtij objekti do të ngrihen shërbimet shëndetësore për qytetarët.
“Vërtetë sot është një kënaqësi e veçantë që falë një donacioni nga populli i Katarit dhe një pjesë nga institucionet lokale do të ndërtohet Urgjenca e re e qytetit. Me ndërtimin e këtij objekti shëndetësor do të kemi ngritje të shërbimeve shëndetësore për qytetarët. Dua t’i përshëndes të gjithë ata që kanë ndihmuar për këtë projekt. Ky bashkëpunim yni me Katarin do të jetë edhe në të ardhmen”, ka theksuar Shpejtim Bulliqi.
Ambasadori i Katarit në Tiranë, Ali bun Hamad Al Marri, ka deklaruar se “sot janë shumë krenarë që po marrin pjesë në vënien e themelit të kësaj urgjence”, e cila, siç ka thënë ai, është dhuratë e popullit të Katarit për Popullin e Kosovës.
Zv.drejtori i organizatës “Qatar Charity”, beson se godina e Urgjencës do të jetë simbol për Podujevën.
“Kjo vepër e cila ndërtohet sot është ndjenjë detyrimi e popullit të Katarit për popullin e Kosovës dhe shpresojmë që ky objekt do t’u shërbejë këtij populli”, tha ai.
Edhe
Podujeva nënshkruan marrëveshje për ndërtimin e Urgjencës
Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, ka theksuar se Urgjenca në Podujevë do të jetë me objekt modern shëndetësor.
“Siç e tha edhe zv.drejtori, është pozicionimi i kësaj qendre strategjik që i plotëson të gjitha kushtet pa pasur nevojë për investime tjera. E falënderoj shtetin e Katarit që e ka mundësuar ngritjen e Urgjencës këtu e cila do t’i plotësojë kushtet për një objekt modern”, tha ajo.
Gexha-Bunjaku ka thënë se si ministri do të angazhohen që të sigurojnë stafin për këtë objekt.