Kryetari Shpejtim Bulliqi ka thënë se një kërkesë të tillë ua ka dërguar Ministrisë së Shëndetësisë dhe SHSKUK-së që nga 23 shtatori, por që deri tash nuk ka marrë kurrfarë përgjigjeje. Sipas tij, këta mjekë do të ofronin shërbime specialistike ambulatore për qytetarët e Podujevës. Por objekti në të cilin mendohet të ofrohen këto shërbime është paraparë për emergjencë dhe maternitet, ndërkohë që Kuvendi Komunal ende nuk ia ka ndërruar destinimin
Specialistët mjekësorë, të cilët vitin e kaluar janë pranuar në punë nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) në emër të Spitalit të Podujevës, është duke i kërkuar kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi.
Një kërkesë të tillë ai ua ka bërë qysh më 23 shtator Ministrisë së Shëndetësisë dhe SHSKUK-së, ani pse ende nuk është ndërtuar objekti i spitalit.
Bulliqi ka thënë se fillimisht i kanë kërkuar pesë mjekë për shërbime specialistike shëndetësore, të cilët do të punonin në objektin që ish-qeverisja lokale e kishte paraparë për emergjencë dhe maternitet.
“Fatkeqësisht, deri tash nuk kemi një përgjigje, as pozitive, as negative dhe ne jemi në pritje të kësaj përgjigjeje. Ndërsa shërbimet specialistike, të cilat kemi planifikua, ose mjekët specialistë, të cilët kemi planifikua që të sillen në Podujevë, për fillim ka pasur kardiolog, pediatër, ka pasur urolog, pastaj diabetolog edhe kemi pasur neurolog”, ka thënë Bulliqi.
Përgjigje këto dy institucione nuk i kanë kthyer as KOHËS, edhe pse pyetjet u janë dërguar nga 3 dhjetori.
Ndërkohë, përfaqësuesi i kompanisë ndërtuese “Intering”, Naim Mahmutaj, ka thënë se projekti i ndërtimit të objektit është në fazën përfundimtare dhe se aktualisht është duke u punuar në sistemin e ngrohjes dhe në sistemin e gazrave mjekësore. Sipas tij, në javën e ardhshme do të bëhet kërkesa edhe për pranim teknik të objektit.
“Sipas kontratës tonë, kati përdhes ka qenë i dedikuar për emergjencë, ndërsa kati i sipërm për maternitet. Edhe në bazë të këtij dedikimi i kemi bërë punimet”, është shprehur Mahmutaj.
Por qeverisja aktuale nuk planifikon ta jetësojë këtë ide, për shkak se objekti gjendet në fund të qytetit dhe po ashtu është përskaj një shkolle fillore. Megjithatë, Kuvendi Komunal ende nuk ia ka ndërruar destinimin.
Kryetari i Komunës së Podujevës ka theksuar se objekti ku parashihet të ofrohen këto shërbime nuk do ta ketë rolin e spitalit, pasi nuk i plotëson kushtet për një gjë të tillë.
Por, sipas tij, është menduar që, derisa të ndërtohet spitali, qytetarët e kësaj komune të mund t’i marrin këto shërbime specialistike në Podujevë dhe për të njëjtat të mos kenë nevojë të udhëtojnë në Prishtinë. Aktualisht, sipas tij, në QKMF-në e kësaj komune e kanë vetëm një pediatër, ndërsa përveç mjekëve familjarë, nuk kanë specialistë të profileve të tjera.