Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Plenkoviq: Ajo që ndodhi në Banjskë të mos kalojë pa reagim nga BE-ja

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka njoftuar të enjten në Granada të Spanjës se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta vizitojë Zagrebin javën e ardhshme për të diskutuar më detajisht situatën në Kosovë, teksa ka theksuar se tani është e rëndësishme që përfaqësuesit e Bashkimit Evropian duhet të reagojnë për atë që ka ndodhur në Banjskë.

Plenkoviq, i cili po merr pjesë në samitin e komunitetit politik evropian në Spanjë, ka thënë se nuk duhet lënë anash reagimi “për incidentin e rëndë në Banjskë”, raportoi mediumi serb “Kosovo online”.

“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar takim, që është mirë, meqë ra fjala, javën e ardhshme është në një vizitë të planifikuar në Zagreb, kështu që do të flasim edhe sot, ndoshta javën e ardhshme pak më hollësisht. Ajo që është e rëndësishme të shihet është reagimi i BE-së dhe ne presim një propozim atje nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell dhe Komisioni Evropian se si të reagohet ndaj këtij incidenti të rëndë në Banjskë dhe minikrizës që u shfaq në veri të Kosovës”, ka thënë Plenkoviq.

Ai ka deklaruar se të hënën ka biseduar për ngjarjet në Banjskë edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, bisedë pas së cilës të dy kryeministrat kanë kërkuar vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë.


Golobi dyshon nëse sanksionimi i Serbisë ofron zgjidhje afatgjate

Image

Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, ka deklaruar se duhet bërë kujdes kur flitet për sanksionimin e Serbisë pas zhvillimeve në Kosovë, pasi sipas tij, kjo nuk do të çonte në arritjen e një zgjidhjeje të përhershme.

Siç ka raportuar “KosovoOnline”, Golob është shprehur të enjten se është e nevojshme të sqarohet situata dhe të kërkohet një zgjidhje më afatgjate.

Edhe Osmani: Serbisë t’i vendosen masa, po planifikon sulme të reja në Kosovë LAJMET E MBRËMJES Osmani: Serbisë t’i vendosen masa, po planifikon sulme të reja në Kosovë

“Unë mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm, të qëndrueshëm dhe këmbëngulës...Nëse ka nevojë dhe nëse krijohet një pozicion unik, Sllovenia do t'i bashkohet," tha Golob, duke shtuar se sanksionet nuk duhet të jenë hapi i parë dhe i vetëm.

Kryeministri slloven ka theksuar për media gjatë samitit të BE-së në Granada të Spanjës se “zgjidhja e situatës aktuale është mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës”.

Golob i ka dënuar sulmet serbe në fshatin Banjskë të Zveçanit.