Arbëri

Planifikohet hapja e 10 qendrave të votimit në veri, nga 44 sa ishin në zgjedhjet e shkuara

KQZ-ja nuk arriti të enjten ta përcaktojë numrin e qendrave të votimit për zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit. Por, burime të KOHËS treguan se, bazuar në rekomandimet paraprake që kanë dhënë komisionet komunale zgjedhore, zgjedhjet do të mund të organizohen në gjithsej 10 qendra votimi – 7 shkolla në lokalitete të banuara kryesisht me shqiptarë dhe në oborret e tri stacioneve policore.

Autoritetet shtetërore nuk presin që, në zgjedhjet e parakohshme në veri, të mund ta hapin as çerekun e qendrave të votimit që ishin në zgjedhjet e fundit.

Burime të KOHËS treguan se, bazuar në rekomandimet paraprake që kanë dhënë komisionet komunale zgjedhore, zgjedhjet e 23 prillit do të mund të organizohen në gjithsej 10 qendra votimi – 7 shkolla në lokalitete të banuara kryesisht me shqiptarë dhe në oborret e tri stacioneve policore, atij në Leposaviq, stacionit në Zveçan dhe stacionit në Mitrovicë të Veriut.

E, në zgjedhjet e fundit, në të katër komunat e veriut ishin hapur 44 qendra votimi.

Ndonëse i kishte në rend dite, KQZ-ja nuk i trajtoi rekomandimet paraprake nga veriu dhe vendimmarrjen për to e ka shtyrë për mbledhjen e ardhshme.

Zyrtarë të saj thanë se po priten raportet e plota nga KKZ-të.

“Arsyetimi që të shtyhen këto pika për mbledhjen e radhës me qëllim që pas vlerësimit të KKZ-të në secilën komunë ta kemi raportin e plotë, që të trajtohet në KQZ, sepse nuk ka arritur të përgatitet me kohë nga KKZ-të”, ka thënë kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj.

E, anëtarë të PDK-së në KQZ kërkuan që përpara se të vendoset për qendrat e votimit, organet kompetente duhet ta japin vlerësimin për sigurinë e tyre dhe jo KQZ-ja.

“Krijimi i qendrave të reja alternative nuk mund të bëhet pa një raport të çështjes së sigurisë dhe nuk mund të marrim hapa përtej mundësive dhe kapaciteteve tona si institucion”, ka thënë Ilir Gashi, anëtar i PDK-së në KQZ.

Gashi tha se komisionet komunale zgjedhore nuk kanë komunikim me komunat.

Në këtë deklarim, i ka reaguar kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

“Ne nuk kemi ende raport prej këtyre se a kanë komunikuar se a kanë mund të bëjnë diçka ende, nuk dimë asgjë dhe nuk jam duke e kuptuar ju si po e dini a kanë komunikim, apo jo”, ka thënë kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Në mbledhjen e rregullt të KQZ, të enjten, ndër të tjera, është certifikuar lista e votuesve në komunat veriore, me 45.095 votues, e po ashtu është miratuar dizajni dhe dimensionet e fletëvotimeve.