Arbëri

Planifikohen dy teste të rrugës njëkahore gjatë ditëve të punës

Me tollovi e shumë boria të veturave u karakterizuan dy testet e para të rrugës njëkahore brenda qendrës së Prishtinës.

Megjithëse kjo nuk u mirëprit nga shumë qytetarë, Komuna e Prishtinës i cilëson si shumë të suksesshme testet të cilat u kryen në pranverën e këtij viti.

Kur është bërë një periudhë e gjatë që nuk ka pasur edhe një test të tillë, komuna thotë se ata nuk kanë hequr dorë nga ky projekt, përkundrazi janë në dinamikën më të madhe të punës.

Pasi kanë marrë testet gjenerale nga provat e para, tani Komuna e Prishtinës parashikon të bëjë edhe dy teste të tjera brenda vitit.

Për dallim nga ato të parat, drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, thotë se testet e ardhshme pritet të bëhen gjatë ditëve të javës.

“Dy testet që po mendojmë t’i bëjmë deri në fund të vitit, do të jenë ditëve të javës, në ditë të punës. Do të jenë teste specifike që do të kenë mekanizma konkretë, për arsye se janë informata profesionale për projekt. Ka kohë që nuk është bërë testi, por puna nuk është ndalë, edhe ndërprerja ka qenë e planifikuar dhe shumë shpejt do të vazhdojmë me testin e tretë dhe të katërt dhe besojmë që në pranverën e vitit të ardhshëm të kemi një plan konkret për unazën e brendshme”, tha Musliu.

Sipas Musliut, në testin e tretë ata do të jenë më konkretë, duke përfshirë edhe disa ndryshime.

“Prej dy testeve që kemi bërë, ngecjet ku kemi pasur na kanë bërë që në testin e tretë të jemi konkretë. Ndryshimet që janë bërë janë te “Ramiz Sadiku””, tha Musliu.

Në anën tjetër, qytetarët kanë mendime të kundërta sa i përket kësaj unaze.

Ndryshe, unaza njëkahore përfshin rrugët: “Agim Ramadani”, nga semaforët pranë Mensës së Studentëve e deri te rrethrrotullimi prapa ndërtesës së Komunës, rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri tek ish-Kino Rinia, rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE-së, rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore, rruga “Garibaldi” deri te semaforët pranë hotelit “Grand”, rruga “George Bush” deri te semaforët pranë katedrales dhe rruga “Eqrem Çabej” deri te semaforët pranë Mensës së Studentëve.