Arbëri

Pishinave në Shtime u jepen 15 ditë afat për plotësimin e kritereve

Inspektorati i Komunës së Shtimes ka nisur të martën një aksion për t’i inspektuar të gjitha pishinat e kësaj komune, teksa ka shqiptuar disa vërejtje për pronarët e tyre. Inspektorati u ka dhënë pesëmbëdhjetë ditë afat pishinave për t’i plotësuar një varg kriteresh.

Vërejtjet dhe rekomandimet e Inspektoratit kryesisht janë fokusuar te kushtet higjienike brenda dhe jashtë objekteve. Po ashtu, pishinat duhet të pajisen edhe me raporte nga Instituti i Shëndetit Publik për analizat mikrobiologjike, bakteriologjike, kimike dhe fizike të ujit, të kenë infermierë dhe zhytës të mjaftueshëm.

Sherif Sherifi, inspektor sanitar, ka thënë se kësaj radhe u janë shqiptuar vetëm vërejtje pishinave, ndërkohë pas dy javësh do të bëjnë sërish inspektime të tjera. Ai ka bërë me dije se kjo komunë ka gjithsej tri pishina funksionale dhe njihet si vend për rekreacion gjatë sezonit veror.

“E kemi nisur një aksion për kushtet e higjienës, duke u nisur nga niveli i ujit për t’i kontrolluar analizat bakteriologjike, mikrobiologjike, kimike e fizike, dhe pastaj kemi inspektuar edhe kushtet në kuzhina, në nyjë sanitare e të tjera. Pishinave u kemi dhënë vërejtje që brenda pesëmbëdhjetë ditësh t’i eliminojnë mangësitë që i kanë. Vërejtjet i kemi hasur te nyjat sanitare, sepse niveli i pastërtisë nuk ka qenë i duhur, pastaj te kuzhinat kemi parë se ekzistojnë disa insekte, kështu që u kemi dhënë urdhër që të bëhet deratizimi dhe dezinfektimi i objektit”, ka thënë Sherifi.

Në anën tjetër, pronarët e pishinave e kanë mirëpritur Inspektoratin Komunal dhe janë zotuar se do t’i plotësojnë rekomandimet e tyre, megjithëse shumicën e kritereve tashmë i kanë plotësuar.

Naser Hysenaj, pronar i një pishine, ka thënë se prej vitit 2005 funksionon pishina e tyre, andaj deri më tash i kanë plotësuar kushtet sipas standardeve evropiane.

“Tash e sa vjet e kemi këtë pishinë dhe nuk ka ndodhur asnjëherë të kemi ndonjë rast të infektuar as në ujë e as në kuzhinë, pra jemi të përgatitur deri në maksimum, në rastet që lëndohet ndonjë fëmijë edhe ndihmën e parë ua japim këtu”, ka thënë Hysenaj. Sipas tij, shpeshherë bëhen inspektime edhe nga niveli qendror për analizat e ujit dhe kushtet e tjera të punës.

Po ashtu edhe Gazmend Kadriu, pronar i një pishine në Shtime, ka thënë se janë kompletuar me staf profesional.

“Ne si çdo sezon jemi të përgatitur në maksimum me të gjitha pajisjet, me infermierë dhe me shpëtimtarë profesionalë siç e kërkon edhe ligji. Sidomos tash në kohen e COVID-it kemi përgatitur edhe dezinfektuesit siç kërkohet, po ashtu edhe me distancë. Kemi vizita nga inspektorët dhe nuk kemi vërejtje, kalojmë mirë, jemi në nivel me të gjitha certifikatat me shpëtimtarë, me të gjitha, me ujë e me analiza janë të gjitha që i plotësojmë kushtet për një pishinë”, ka thënë ai.