Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përvjetori i opinionit të GJND-së për pavarësinë, kujtohet si gurthemel i shtetësisë së Kosovës

Kosova

22 korriku i vitit 2010, për Kosovën shënon vulosjen e shtetësisë. Në këtë datë, 16 vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Opinioni i GJND-së sot u kujtua si gurthemel i pavarësisë së Republikës së Kosovës nga krerët e shtetit.

Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se opinioni i kësaj gjykate e forcoi edhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, që u pasua nga njohjet e shumë shteteve për Kosovën.

“Vendimi i Gjykatës përbënte një moment me rëndësi të veçantë juridike dhe diplomatike, duke forcuar pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe duke shërbyer si bazë e rëndësishme për njohjet që pasuan nga shumë shtete. Edhe pas 16 vitesh, opinioni i 22 korrikut 2010 mbetet një nga gurthemelet e legjitimitetit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës dhe një referencë e rëndësishme në afirmimin e subjektivitetit të saj në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Haxhiu në Facebok.

Ndërsa kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mbrojtja më e mirë janë institucionet demokratike, sundimi i ligjit e forcimi i legjitimitetit përmes punës e përgjegjësisë.

“Për bashkësinë ndërkombëtare, ishte një sqarim i rëndësishëm se e drejta ndërkombëtare nuk ndalon deklaratat e pavarësisë dhe se secili rast duhet të vlerësohet mbi faktet dhe normat që e karakterizojnë. Mbrojtja më e mirë e kësaj trashëgimie nuk është vetëm ta kujtojmë atë, por ta justifikojmë çdo ditë: me institucione demokratike, me sundim të ligjit dhe me një Republikë që e forcon legjitimitetin e saj përmes punës, zhvillimit dhe përgjegjësisë”, ka shkruar në faqen e tij në Facebook.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se vendimi i GJND-së, rikonfirmoi se rruga drejt lirisë dhe pavarësisë ishte e drejtë dhe në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare. 

Edhe 36 vjet nga “Republika e Parë” Arbëri 2 j. më parë 36 vjet nga “Republika e Parë”

“Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, Kosova po përballet me një realitet shqetësues: procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe themeluesve të shtetit, ngecjen në procesin e njohjeve të reja, vështirësitë në integrimin ndërkombëtar dhe përkeqësimin e raporteve me aleatët tanë. Vendit tonë i nevojitet një lidership që ndërton dhe forcon aleancat, mbron interesat shtetërore dhe sjell rezultate konkrete për qytetarët tanë”, shkroi Hamza në Facebook.

Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, erdhi pas kërkesës së Serbisë drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për një vlerësim këshillëdhënës mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.