Përveç konstituimit të Kuvendit, të hënën, do të synohet të votohet edhe qeveria.
Përkundër se një skenar të tillë nuk e kanë konfirmuar nga Lëvizja Vetëvendosje, këtë e kanë bërë nga komunitet joshumicë.
“Gjithçka që mundem me ju siguru është që votat për kryeministër me datën 22 do të jenë prezentë”, ka deklruar Erxhan Galushi i Lëvizjes Përparimtare të Romëve të Kosovës.
Njohës të punës së institucioneve, thonë se një gjë e tillë nuk është vështirë e realizueshme. Sipas Eugen Cakollit, nga Instituti Demokratik i Kosovës, formimi sa më i shpejtë i institucioneve është i domosdoshëm.
“Duke marrë parasysh sfidat e shumta me të cilat ballafaqohet vendi, sidomos nga aspekti ekonomik, zhvillimeve me pandeminë unë besoj që është e domosdoshme që qeveria ta marrë menjëherë detyrën po sa të konstituohet Kuvendi, dhe në këtë drejtim ka edhe aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese e cila kërkon që brenda afateve sa më të shpejtë dhe të arsyeshme kohore të përmbyllet çështja e formimit të institucioneve në mënyrë që të garantohet vijimësia juridike e institucioneve”, tha Cakolli.
Përveç miratimit të qeverisë, nga Lëvizja Vetëvendosje besojnë se javën e ardhshme do të finalizohet edhe zgjedhja e presidentit.
“Duke pasur parasysh që deputetët që shkojnë në ekzekutiv, nuk mund të zëvendësohen menjëherë në një ditë, kjo do të varet pastaj nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Mund të zgjasë 2-3 ditë, sepse varet nga KQZ-ja, por besoj se brenda javës së ardhshme do të mund ta finalizojmë edhe çështjen e presidentes. Është mirë ta bëjmë këtë, sepse mund të fillojmë punët që na presin”, deklaroi Albulena Haxhiu e VV-së.
Seanca për konstituimin e Kuvendit do të mbahet të hënën në ora 10.
Sipas procedurave, kandidati për kryeministër nga partia fituese fillimisht duhet të mandatohet nga kreu i shtetit. I mandatuari për kryeministër, ka kohë 15 ditë që ta paraqesë para Kuvendit përbërjen e re e të kërkojë miratimin e saj. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.