Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kronika zgjedhore / Përveç 100 eurove, AAK-ja premton kartela për blerje të produkteve vendore

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka premtuar të hënën kartela me të cilat qytetarët mund të blejnë produkte vendore nëse partia e tij vjen në pushtet. Pa dhënë hollësi se sa do të jetë shuma me të cilat mund të jenë të mbushura ato, Haradinaj ka thënë se kjo do ta rriste ekonominë e vendit gjatë tubimit me simpatizantët e Klinës.

“100 euro për çdo qytetar rezident në Kosovë, e që bëjnë 170 milionë, që shkojnë menjëherë te qytetari dhe te secili pa dallim... Shiheni deri ku është plotësuar: një kartelë e veçantë, shpenzimet e së cilës orientohen në prodhime vendore, me vlefshmëri prej 60 ditësh. Pra, japim një kartelë me një shumë të caktuar të parave, me të cilën do të blini prodhime të Kosovës. Ka dy herë efekt: një qytetar merr para, dhe dy, qytetari blen prodhime vendore dhe e ringjall ekonominë e vendit”, ka thënë ai duke e ritheksuar edhe premtimin e 100 eurove që e ka përmendur qysh nga fillimi i fushatës.

Kryetari i Komunës së Klinës dhe Degës së AAK-së në këtë komunë, Zenun Elezaj, ka thënë se AAK-ja duhet votuar, sepse e ka listën më të mirë, pasi do ta përmbyllë dialogun me Serbinë dhe për shkak të transparencës së dëshmuar nga udhëheqja e Klinës.

“Ne ende jemi në një situatë të paqartë rreth epilogut të bisedimeve me Serbinë. Idetë e shkëmbimit territorial dhe dhënies së kompetencave për Asociacionin e komunave serbe ende ekzistojnë dhe diskutohen në qarqe të ndryshme. Serbinë e idetë e tyre të sëmura në luftë e në paqe i ka bllokuar çdoherë lideri i luftës, Ramush Haradinaj”, është shprehur ai.

Ndërsa Agron Bacaj, kandidat për deputet nga Klina, njëherësh zëvendësministër i Brendshëm, e ka rikonfirmuar se AAK-ja s’ka vija të kuqe për koalicione pas zgjedhjeve.
“Aleanca është e përkushtuar të kontribuojë për interesat e qytetarëve me secilën parti që dëshiron ta çojë Kosovën përpara”, është shprehur Bacaj.
Kandidati për deputet dhe ish-ministri i Transportit, Pal Lekaj, u ka kërkuar simpatizantëve të Klinës fitore të madhe, pasi u bëri thirrje që në ditën e të dashuruarve ta dashurojnë vetëm AAK-në.

“Kështu siç jeni, na duhet trefishi juaj. Në Klinë duhet të dalim diku 70 për qind”, është shprehur Lekaj.
Si në tubimin e Klinës, ashtu edhe në atë në Istog, AAK-ja i ka thyer masat anti-COVID që lejojnë vetëm 30 persona në hapësira të mbyllura.
Edhe në hapësira të jashtme Haradinaj i ka prirë një mase të madhe përkrahësish që shihet edhe në një foto bashkëngjitur një komunikate të dërguar nga partia e tij.

Edhe Haradinaj për taksën 100%: I fuqizuam produktet “Made in Kosova” Zgjedhjet 2025 Haradinaj për taksën 100%: I fuqizuam produktet “Made in Kosova”

“Çdo cep i rrugëve ishte i mbushur me përkrahës e tij, ku nuk i shihej fundi turmës së njerëzve. Për këtë pritje madhështore Haradinaj i ka falënderuar të gjithë ata që e nderuan me këtë përkrahje aq të madhe”, shkruhet në njoftim.

Në Istog, Haradinaj ka thënë se të rinjtë e lodhur nga korrupsioni presin vende pune, rritje pagash, rritje ekonomike, që arrihet në bazë të planit ekonomik të kësaj partie.