Bartësi i listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati për president, Ramush Haradinaj, u ka premtuar qytetarëve një pako gjeneroze ekonomike, nëse hyn në qeveri. Ndërsa, Presidencën ka thënë se e meriton për shkak të përvojës që ka fituar gjatë luftës në ballafaqim me Serbinë. Ndonëse maskat shpërndaheshin vazhdimisht në tubimin e AAK-së në Gjilan, ai u përshkua me shkelje masash anti-COVID
Prishtinë, 5 shkurt - Nga 100 euro ua ka premtuar bartësi i listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, secilit qytetar të Kosovës, nëse e fiton pushtetin.
Haradinaj, kandidat për president i kësaj partie, e ka dhënë këtë premtim gjatë një tubimi në Gjilan, me rreth njëqind pjesëmarrës.
“100 euro shkojnë te secili qytetar dhe bëjnë 170 milionë. Pse te secili qytetar, ta bëjmë pjesë ta mobilizojmë, që të ndalet rënia ekonomike. E pastaj janë pakot për bizneset, për secilin të punësuar, për pronarët, për lehonat, për ata që i kanë humbur vendet e punës, e kështu me radhë", ka deklaruar Haradinaj.
Teksa fliste se si Bashkimi Evropian ka bërë buxhet për ta sanuar dëmin ekonomik pandemik, Haradinaj ka deklaruar se të paktën përkohësisht, ka hequr dorë nga rruga Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren.
“Ne kemi shkuar konkret me planifikim, se si ta ndalim rënien ekonomike, se si të gjejmë para të reja. Paratë e para, më të lehtat për t’u marrë 200 milionë të buxhetit, janë rialokim që kishin pasur të shkonin (normalisht) në infrastrukturë, por na duhet të presim një vit. Nuk i humbim projektet. E kemi në plan autostradën e Dukagjinit. Ajo mund të presë për një vit”, ka thënë Haradinaj.
“Fondi për Rindërtim Ekonomik”, si quhet në programin zgjedhor të AAK-së, ka vlerë prej 1 milion eurosh. Aty parashihet se 200 milionë (20 për qind) merren nga buxheti shtetëror, 100 milionë (10 për qind) nga fondet e privatizimit, 100 milionë (10 për qind) po ashtu nga fondi për garanci kreditore dhe 600 milionë euro (60 për qind) borxh publik.
ka folur edhe rreth kandidaturës së tij për presidencë, të cilën e kishte bërë të ditur shumë më parë. Ka thënë se historia e tij me luftën frontale me Serbinë, gjatë viteve nëntëdhjetë, e bën më të denjë, si president, në përballje me këtë shtet, sesa numri 2 i listës së Vetëvendosjes, Vjosa Osmani.
"Deri tash janë dy kandidatë që janë përmendur më shumë. Është zonja Vjosa Osmani, për të cilën unë kam respekt si zonjë, si intelektuale, si kolege në politikë, por për përballje me Serbinë, përvoja ime është ndryshe... Nuk e kemi humbur momentumin e luftës dhe për pak kohë jemi kthyer në vendluftim”, ka thënë ai.
Për dallim nga dy ditët e para të fushatës, të premten në Gjilan, Haradinaj pati shumë adhurues që donin të fotografoheshin me të. Derisa tashmë është praktikë e zakonshme që para hyrjeve të hoteleve ku mbahen tubime të shpërndahen maska, edhe në këtë tubim ato nuk janë mbajtur nga të gjithë dhe ka pasur më shumë pjesëmarrës sesa që lejohet, në pajtim me ligjin anti-Covid.
Haradinaj të premten ka mbajtur tubim edhe me të rinjtë e Obiliqit, për të cilët ka premtuar fond të veçantë punësimi dhe reforma radikale arsimore.
“Aleanca angazhohet në krijimin e agjendës nacionale për rini të edukuar e të shëndoshë dhe reformën rrënjësore të sistemit arsimor. Programi ynë parasheh mes tjerash edhe fondin e financimit të punësimit të parë të të rinjve, trajtimin institucional të karrierës, shkollat profesionale dhe harmonizimin e plotë të politikave arsimore, shëndetësore, kulturore, të punësimit dhe të zhvillimit në relacion me gjeneratat e reja”, ka shkruar ai.