Punën e kryen nëpër pika kufitare qendra emergjente për menaxhimin e pandemisë e edhe brenda hapësirave në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Hanife Dragusha është infermiere në këtë qendër për 45 vjet e gjatë këtyre viteve punë ajo thotë se është përballur me shumë sfida. Megjithëse sfida më e madhe e saj mbetet ‘’lufta’’ për njohje të kontributit që ajo ka dhënë gjatë kësaj kohe.
Dragusha ende nuk ka marrë pagën jubilare, të cilën Komuna e Prishtinës obligohet t’ia paguajë bazuar në marrëveshjen e kontratës kolektive të nënshkruar në qershor të 2018-s, raporton KOHA.
Pavarësisht plotësimit të kriterit për stazh pune, ajo edhe më tutje nuk e gëzon.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë, Sherif Makolli, tregon se kanë pasur komunikime të shpeshta me kryetarin Ahmeti dhe zyrtarë të tjerë të Komunës, porse gjithmonë ka munguar gjuha e përbashkët.
Edhe
Personeli shëndetësor i QKMF-ve ankohet për mospagesë të kontributit
Sipas tij, ai si përfaqësues sindikal i punëtorëve i ka dhënë Komunës disa propozime për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, në të cilën, sipas tij, vetëm 35 % e stafit në këtë qendër nuk e kanë marrë.
Ai thotë se njohja e kontributit të një pjese të personelit, por jo edhe të pjesës tjetër ka nxitur pakënaqësi edhe në punën që bëhet në qendër.
Sipas tij, shumë prej tyre ndihen të diskriminuar e të injoruar nga Komuna e Prishtinës, ndonëse plotësojnë të gjitha kriteret për këtë pagesë.
Makolli thotë se ata do të vazhdojnë drejt rrugëve të tjera për të kërkuar kontributin që u takon, pasi që, sipas tij, komunat e tjera e kanë zbatuar menjëherë marrëveshjen e kontratës kolektive të para dy vjetëve.
Edhe
Iu vonuan dy paga 45 punonjësve shëndetësorë në Gjilan
Marrëveshja e nënshkruar mes MSH-së dhe Federatës së Sindikatave Shëndetësore të Kosovës obligon punëdhënësin që në vitet jubilare të punësimit personeli shëndetësor të përfitojë një pagë jubilare për 10 vjet përvojë pune, dy paga për 20 vjet dhe për 30 vjet përvojë pune ata të përfitojnë tri paga të tilla.
Ku sipas marrëveshjes shpërblimi jubilar obligohet të paguhet në afat prej një muaji, pas plotësimit të këtyre kushteve.