Arbëri

Personalitetet e vitit 2022: Rada Trajkoviq – Armikja e Vuçiqit

Rada Trajkoviq është rikthyer në institucione të Kosovës. Kritikja e Qeverisë, por edhe e partisë kryesore të serbëve të Kosovës, shihet në Beograd edhe si armike e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Pasi Lista Serbe braktisi institucionet, Nenad Rashiq u bë ministër për Komunitete dhe Kthim dhe Trajkoviqin e emëroi këshilltare. Ajo, pavarësisht pse u kritikua e etiketua në Beograd, s’i ndali vizitat për në Serbi. Por, sistemi iu revanshua. Me vendim të inteligjencës serbe, ajo u ndal dy herë radhazi në pikën kufitare në Merdare – një herë katër orë, e herën e dytë rreth një ditë. Dhe, Trajkoviq e kualifikoi fitore këtë, pasi tha se mbërriti që t’ia ekspozonte fytyrën e vërtetë regjimit në Serbi dhe që atij t’ia heq maskën “pro-evropiane”.

Trajkoviq ka një mision: serbëve të Kosovës t’ua heqë qafe kriminelët, për të cilët beson se dirigjohen nga Vuçiqi. Dhe, nga kjo rrugë ka thënë se nuk ndalet dot. E, për ta bërë të qartë këtë përcaktim, ka drejtuar edhe një porosi për presidentin serb, Vuçiq: “Më kot po përpiqesh të më trembësh”.