Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Personalitetet e vitit 2022: Martin Berishaj – Ambasadori në aferë

Martin Berishaj është bërë ambasadori më i përfolur i Kosovës. Ai drejton Ambasadën në Kroaci, por këtë vit emri i tij u përmend në një skandal të shpëlarjes së parave.

Në mediumet sllovene, në prill u raportua se politikani slloven Robert Golob ka bërë transaksione nga dega serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-i, për te kompania e Berishajt, MB Consulting. E nga kompania e Berishajt janë nxjerrë më pas gradualisht 600 mijë euro para të gatshme që dyshohet se i janë kthyer Golobit.

Berishaj ka insistuar në pafajësi, ndërsa ndaj tij nuk morën masa as ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e as presidentja Vjosa Osmani. Opozita vazhdimisht ka insistuar për ta shkarkuar dhe, po ashtu, ka paralajmëruar kallëzim penal.

Autoritetet në Malin e Zi bllokuan xhirollogaritë e kompanisë së Berishajt. E Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet preliminare për pastrim të parave. Po ashtu, edhe Agjencia Kundër Korrupsionit ka dorëzuar rastin ndaj Berishajt në Prokurori për mosdeklarim apo deklarim të rrejshëm të pasurisë.