Ndonëse është kryetare e Komisionit për të drejtat e njeriut e për barazi gjinore, deputetja Duda Balje ka qenë e zëshme kundër projektkodit civil që u hapte rrugë bashkësive familjare të së njëjtës gjini. Në fillim të vitit doli me votë kundër projektkodit, e në fund të vitit kritikoi Ministrinë e Kulturës pse ndau 10 mijë euro për një fotografi në të cilën shihen katër vajza duke shkëmbyer puthje. E quajti fotografi të “pa logjikë”.
Deputetja e komunitetit boshnjak, ndonëse pjesë e koalicionit, në disa raste është përplasur me kolegët. Në një rast ajo u përplas me deputetin e Vetëvendosjes, Armend Muja, në Komisionin hetimor për energjinë, pasi ai propozoi largimin e saj. “Nuk mund të më kontrolloni”, u shpreh ajo duke thënë se vota e saj s’mund të menaxhohet nga pushteti.
Balje s’ka qenë në një zë me pushtetin edhe në rastin e votimit për tërheqjen nga Trusti. Në fillim të vitit bëri bujë me deklaratën se njerëzit e quajnë “naftë” për shkak të publikimit të shpenzimeve për udhëtim. Mes bujës së përplasjes, Balje u takua me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për “mundësinë e bashkëpunimit në të ardhmen”.