Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Personalitetet e vitit 2022: Artane Rizvanolli – Konsulentja e kursimit

Është ministre e Ekonomisë, por në kohën e krizës më të madhe energjetike, Artane Rizvanolli në vend të zgjidhjeve ofroi apele e këshilla.

Nga foltorja e Kuvendit i këshilloi qytetarët që t’i izolonin shtëpitë e tyre para se temperaturat të uleshin. Thirrja u bë në kohën e rekordeve të inflacionit, nga i cili u godit edhe vendi prej më të varfërve në Evropë. Kur prezantoi pakon e parë për subvencionim të energjisë, izolimin e shtëpive nuk e përfshiu në të. Tha se po e bënte me sugjerim të ekspertëve.

Për llogari të kursimit të energjisë, edhe ajo mbështeti sugjerimin për dush të përbashkët.

Lansoi edhe të tjera sugjerime. Kërkoi që pajisjet e dekorimit për festat e fundvitit të shpenzojnë sa më pak energji. Ndërkaq, institucioneve publike u kërkoi t’i zëvendësojnë poçet standarde në LED, të ndalin ngrohjen ku s’ka prezencë fizike, të ndalin ngrohjen e ujit e edhe përdorimin e klimave.

Këshillat s’dhanë shumë rezultat. Ashtu sikurse filloi, viti përfundoi me masat emergjente të furnizimit me energji, që nënkuptojnë edhe kthimin e reduktimeve.

Artikuj të ngjashëm